Sebastian Pinera president i ri i Kilit
Konservatori multi-miliarder, Sebastian Pinera, ngadhënjeu në zgjedhjet presidenciale në Kil dhe u bë pas 52 viteve të plota presidenti i parë i zgjedhur nga radhët e së djathtës.
Rivali i tij nga radhët e partisë në pushtet, Eduardo Fray, pranoi humbjen, pas kumtimit të lajmit se pas numërimit të 60 për qind të votave, Pinera ka fituar 52 për qind, ndërsa Frey 48 për qind të votave.
Pinera, investues dhe ekonomist, i cili është shkolluar në Harvard, ka premtuar hapjen e miliona vendeve të reja të punës dhe një shtim ekonomik më të lartë se 6 për qind në vit, me ndihmën e shtimit të investimeve dhe punës më efikase të qeverisë.
Frey, i biri i presidentit të dikurshëm të Kilit dhe senator i Partisë së Demokristiane, para zgjedhjeve kishte premtuar se do ta vazhdojë politikën e presidentes aktuale, Michele Bachelet dhe se do ta zgjerojë programin e saj social edhe në radhët e klasës së mesme.
Pinera ka kryesuar në të gjitha anketat para zgjedhjeve, por epërsia e tij gati sa nuk u shkri në tërësi, pas grindjes që pati ai me Bachelen për diktatorin e Kilit, Augusto Pinochen, diktaturën e së cilit e kanë mbështetur partitë, të cilat e përbëjnë koalicionin e Pineras.