OKB: Haiti, katastrofa më e rëndë me të cilën jemi përballur
Ban Ki-Moon: “Humbjet njerëzore dhe dëmet, të pallogaritshme”
Liderët botërorë kanë rritur ndjeshëm ndihmat e tyre për ishullin e Haitit, i shkatërruar pothuajse krejtësisht nga tërmeti i tmerrshëm i pesë ditëve më parë, që mori jetën e më shumë se 200000 mijë njerëzve. Ndërsa rrugët e kryeqytetit të vendit janë bllokuar tërësisht nga mbeturinat dhe kufomat, qindra të tjerë që i mbijetuan kësaj fatkeqësie presin ushqim, ujë dhe ilaçe në atë që OKB e ka cilësuar si kriza më e rëndë humanitare me të cilën është përballuar ndonjëherë. Pesë ditë pas tërmetit të llahtarshëm, skuadrat ndërkombëtare të ndihmave po kërkojnë ende njerëz të gjallë mes rrënojave të ndërtesave të rëna në Port-au-Prince, ku edhe dje më shumë se 100 orë pas tërmetit u nxorën tre persona të gjallë nga një supermarket: një burrë, një fëmijë dhe një grua amerikane. Ndërkohë është rritur zemërimi i qindra mijëra haitianëve që nuk po arrijnë të marrin ndihmat e duhura për shkak të vështirësive logjistike dhe organizative.
Në një situatë ku nuk funksionon thuajse asnjë hallkë e shtetit, hajdutët po plaçkitin supermarketet e rrëzuara në zonën tregtare të kryeqytetit, duke vjedhur gjithçka që u del përpara. Ndërkaq ka pasur edhe përleshje të armatosura mes bandave të plaçkitësve dhe policisë, ku një person ka mbetur i vdekur. “Shkova atje me zemër të thyer. Kjo është një nga krizat humanitare më të rënda prej disa dhjetëvjeçarësh dhe më e keqja me të cilën jemi përballur ndonjëherë. Dëmet, shkatërrimi, humbja e jetëve njerëzore, janë në shifra të pabesueshme. Detyra jonë është të shpëtojmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur dhe të bëjmë që ndihmat nga e gjithë bota të mbërrijnë në kohën dhe destinacionin e duhur”, deklaroi i Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon. Vetë Ban Ki-Moon deklaroi se kreu i misionit i Kombeve të Bashkuara në Haiti, Hedi Annabi, një tunizian 65 vjeç, ka humbur jetën. Në një komunikatë të shpërndarë ai ka konfirmuar edhe vdekjen e zëvendësit të Annabit, brazilianit Luiz Carlos da Costa.
Shumë haitianë po braktisin qytetet me valixhet në kokë apo makina, në kërkim të ushqimit e ndihmave në zonat përreth kryeqytetit dhe për t’i shpëtuar dhunës dhe vdekjes së sigurt në mungesë të kushteve themelore të jetesës. Shumë të tjerë kanë mbushur aeroportet me shpresën për të gjetur një vend në avionët që largohen çdo ditë nga ishulli. Presidenti Barack Obama ka garantuar ndihma të vazhdueshme deri në rimëkëmbjen e plotë, ndërsa Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ndodhet në Haiti për ta parë më nga afër gjendjen. Qeveria lokale u ka besuar amerikanëve kontrollin e aeroportit, për të administruar sa më mirë fluksin e ndihmave që po mbërrijnë nga e gjithë bota. “Jemi duke zhvilluar një nga operacionet më të mëdha humanitare për të shpëtuar jetë njerëzish dhe çuar ndihma”, tha Presidenti Brack Obama, që kërkoi ndihmën e dy paraardhësve të tij, Bush dhe Clinton, për ta menaxhuar sa më mirë këtë situatë.
Dy presidentët kanë ngritur një fond, të quajtur “Clinton Bush Haiti Fund”, për të grumbulluar para për Haitin. Ky fond pranon donacione nëpërmjet internetit dhe premton që 100 për qind të parave të përdoren menjëherë dhe drejtpërdrejtë për të ndihmuar të goditurit nga tërmeti.
#