E Shtunë, 31 Tetor 2026

Michelle gëzon më shumë popullaritet se Barack Obama

SHBA
Zonja e Parë pëlqehet nga 70 për qind e amerikanëve, kundrejt 50% që mbështesin bashkëshortin

Për çiftin Obama janari është një muaj i veçantë. Dje Michelle mbushi plot 46 vjeçe, ndërsa të mërkurën do të festojë përvjetorin e parë në Shtëpinë e Bardhë, ndaj media duket se është përqendruar mbi të dhe familjen e saj. Por ajo çka bën më shumë përshtypje është se nga sondazhet e zhvilluara në vend, Michelle gëzon një popullaritet më të lartë në krahasim me Obamën, përkatësisht 70 me 50 për qind. Kështu, nëse Zonja e Parë e Amerikës shfaqet në kopertinën e një reviste, shitjet e asaj periudhe rriten me të paktën 10 për qind. Megjithatë, Zonja e re e Shtëpisë së bardhë kërkon të tregojë se një vit në Uashington nuk e ka ndryshuar aspak: “I pyes gjithmonë mikeshat e mia se si dukem dhe a kam ndryshuar. Pastaj janë edhe vajzat e mia që më mbajnë me këmbë në tokë. çdo mbrëmje darkojmë të gjithë bashkë, dhe ato nuk duan të flasin për probleme të mëdha me të cilat përballet bota, por për detyrat, për vështirësitë në shkollë apo për spektaklin e fundit në televizion”. Në 20 janar të një viti më parë, Michelle shoqëroi bashkëshortin në rrugëtimin përgjatë “Pennsylvania Avenue”, dhe mbante veshur një fustan ngjyrë limoni, që e bëri objekt të qindra revistave të modës. Në këto 12 muaj, stili i saj i thjeshtë dhe jo shumë i shtrenjtë apo i ekzagjeruar ka bërë për vete gratë amerikane. Ajo ka transmetuar imazhin e një nëne dhe gruaje perfekte. Në intervistat e dhëna Michelle ka treguar se është krenare për bashkëshortin dhe përkushtimin e tij ndaj punës, ndaj e mbështet atë dhe i qëndron pranë në çdo vendim që ai merr.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›