Al Qaida mohon vrasjen e udhëheqësve të saj në Jemen
Al Qaida në Gadishullin e Arabisë ka mohuar se gjashtë kryesues të kësaj organizate janë vrarë, pas një sulmi ajror javën e kaluar në Jemen.
“Asnjë nga muxhahedinët nuk është vrarë në këtë sulm të padrejtë. Disa vëllezër tonë kanë pësuar lëndime të lehta”, u theksua në kumtesën e kësaj organizate në internet, e cila u citua nga grupi për inteligjencë, SITE.
Ministria e Brendshme e Jemenit ka theksuar se forcat e sigurisë do të vazhdojnë sulmet kundër shënjestrave të Al Qaidës, për aq kohë sa kjo organizatë vazhdon të rrezikojë sigurinë kombëtare të vendit, ka njoftuar agjencia e lajmeve, Saba.
“Nuk do të jenë këto sulmet e fundit, për aq kohë sa elementet terroriste vazhdojnë të vënë në shënjestër sigurinë shtetërore, stabilitetin dhe institucionet”, theksoi gjenerali Rashad Al Masri.
Qeveria e Jemenit ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar ofensivën e re kundër Al Qaidës, e cila ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e dështuar kundër një aeroplani amerikan në ditën e Kërshëndellave.
Zyrtarët në Sana theksuan javën e kaluar se shefi i Al Qaidës në Jemen, Qassem Al Rimi, është vrarë pas një sulmi me raketë.
“Agjentët e qeverisë po tentojnë të paraqesin një fitore të rrejshme”, u theksua më tutje në kumtesën e Al Qaidës.