Sebino Plaku mendon largiminSulmuesi i Dinamos, ka shenuar vetem 1 gol këtë sezon

Rrjetet sociale:
(ALBANIA SPORT) – Sulmuesi i Dinamos, Sebino Plaku (24 vjeç, 10 ndeshje, 1 gol këtë sezon) mund të largohet nga kryesuesit e Kategorisë Superiore.
KAM MENDUAR LARGIMIN
Ish-sulmuesi i Apolonisë është aktivizuar vetëm një ndeshje me kohë të plotë, ajo me Kastriotin, të fituar nga Dinamo 2-0, falë dy golave të Elis Bakajt. “Me atë minutazh që kam pasur në dispozicion e kam pasur të vështirë të gjej golin. E kam menduar disa herë largimin, por unë jam ende nën kontratë me ekipin. Është presidenca (e Dinamos) që mund të vendosë për mua dhe për planet që ata kanë për mua”, - tha Plaku, ish-sulmues i HamKamit në Norvegji.
TESTIMET E PLAKUT
Klubi norvegjez, HamKam (Sebino nënshkroi një kontratë 4-vjeçare), ende nuk e ka marrë shumën e plotë të parave nga shitja e Plakut, pavarësisht se sulmuesi ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me Dinamon. Kartoni i tij u ble nga presidenti i klubit, Besnik Sulaj në janar 2009. Në fakt, Plaku ka tentuar të largohet gjatë verës nga 17-herë kampionët, duke u testuar te skuadra portugeze e Ligës së Parë, Vitoria e qytetit Guimaresh. Më parë, Plaku është testuar me Bran Bergen dhe Valerengën në Norvegji.
GOLI I VETËM
Sebino Plaku - 18 gola sezonin e kaluar, duke i qenë i dyti pas Migen Memellit të Tiranës – ka realizuar vetëm një gol këtë sezon, pikërisht në fitoren 3-0 të Dinamos kundër Flamurtarit (java 2) në Vlorë. Dinamo do të përballet në fundjavë në kryeqytet sërish me vlonjatët për javën e 13-të.
GOLASHËNUESIT BLU
Dinamo ka sulmin më të mirë në kampionat, duke shënuar 23 nga 149 gola që kanë realizuar të 12 skuadrat e Superligës në total. Tetë futbollistë kanë shënuar 23 golat e Dinamos, ku super-topçiu është Elis Bakaj me 8 gola. Fatjon Sefa ka realizuar 6, Gentian Muça (2), argjentinasit Rafael Soza dhe Lucas Malarcane (secili nga 2), Bekim Kuli (1), Sebino Plaku (1) dhe senegalezi Papa Ablaye Diop (1).
DINAMO
23 gola/ 8 futbollistë
8: Elis Bakaj
6: Fatjon Sefa
2: Gentian Muça
2: Rafael Soza
2: Lucas Malarcane
1: Bekim Kuli
1: Sebino Plaku
1: Papa Ablaye Diop
Numri i klikimeve - 50
E Merkure, 02 Dhjetor 2009