E Diel, 1 Nëntor 2026

Han: “Ndihem i lumtur në Shqipëri”



Dash Frashëri

Nuk është më holandezi i ftohtë. Sa më shpesh që po e viziton Shqipërinë tonë, aq më shumë Ari Han po ecën në gjurmët e gjermanit Hans Peter Brigelit. “Shqiptarizimit”. Tri herë kampioni i madh i Europës me Ajaksin, shfaqet më i qeshur me të gjithë. Tashmë dy herë nënkampioni i botës e njeh më mirë mentalitetin kuqezi. Jo vetëm të lojtarëve. Dhe jo vetëm të gazetarëve, gjithmonë në kërkim të një interviste apo deklarate. Por edhe të një fansi. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, ishte i pranishëm së fundi në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të Federatës Shqiptare, ku mori edhe komplimentet e presidentit të UEFA-s, Mishel Platini. Francezi: “Kam qenë një adhurues i tij dhe i Ajaksit”. Dhe intervista me Hanin u bë e tëra në gjuhën frënge, që holandezi i fliste shumë këndshëm, por me pak nuancë belge nga kohët e vjetra me Anderlehtin...

Zoti Han, pas barazimit të bujshëm me Portugalinë e madhe (0-0, në Braga) vjen ndeshja miqësore me Azerbajxhanin modest. Si e vlerësoni testin kur ka mbetur më pak se një javë për t’u zhvilluar?
Është një ndeshje shumë e mirë për ne. Sigurisht, që nuk ka të njëjtat vlera si ato zyrtare në kualifikueset e Kampionatit Botëror, por është në momentin e duhur. Është ndeshja e vetme përpara Maltës.
Përfaqësuesja do të jetë pak e ndryshme nga ajo që është grumbulluar në pesë ndeshjet tuaja të fundit, përfshirë edhe miqësoren e Lihtenshtejnit, të cilën e fituam 2-0 në Tiranë. Sa besoni te suksesi në transfertë?
Po. Është e vërtetë që nuk do të jenë të gjithë lojtarët bazë, pasi disa janë të dëmtuar apo nuk janë aktivizuar me klubet e tyre. Nga ana tjetër, është një udhëtim i gjatë, pasi Azerbajxhani është në anën tjetër të Europës. Mendoj se do të jetë një test i mirë për lojtarët e grumbulluar, sidomos për ata që nuk kam pasur rastin t’i kem në grupin tim. Të gjitha ndeshjet ndërkombëtare janë të rëndësishme, dhe kur ke përballë kundërshtarë, të cilët konsiderohen më të dobët, natyrshëm që synon fitoren.
Shqipëria ka pasur 100 për qind sukses në tri ballafaqimet me Azerbajxhanin, ku asnjëra nga ndeshjet nuk është zhvilluar në Baku. A keni siguruar ndonjë informacion paraprak për kundërshtarin?
Për të qenë i sinqertë, nuk kam. Por pse në Shqipëri interesohen më shumë për kundërshtarin? Mendoj se nuk është shumë e rëndësishme, pasi ne me Azerbajxhanin nuk jemi në një grup kualifikues. Madje do ta konsideroja më interesante përballjen me një kundërshtar që nuk e dimë se si luan. Dua të shoh edhe reagimin e lojtarëve. Një ekip kombëtar asnjëherë nuk i ngjan një tjetri, kështu që Azerbajxhani, nuk besoj se është i ngjashëm me atë të Maltës. Një ekip kombëtar nuk është i njëjtë me një klub që luan çdo javë. Është diçka krejtësisht e ndryshme. Gjithmonë trajnerët e ndërtojnë taktikën e strategjinë në varësi të kundërshtarit, por dhe të lojtarëve që kanë në dispozicion.
Në Azerbajxhan do të përballeni me një “armik” të përjetshëm, gjermanin Berti Fogst, një prej atyre që u kanë hequr mundësinë për të qenë kampion bote. Si e shikoni atë tani?
“Ah, old times!” (Kohë të vjetra). Nuk ia vlen më t’i kujtojmë. Me Fogstin u takuam në Kongresin (e trajnerëve) në Vjenë. Në futboll përpiqemi të mbetemi miq jashtë fushe, por brenda saj, edhe Gus Hidink me Rusinë nuk e fali Holandën.
Në faqen zyrtare të FIFA-s (fifa.com) është botuar së fundi një koment i bukur në lidhje me progresin e futbollit shqiptar në ballafaqimet ndërkombëtare, sidomos pas barazimit me Portugalinë, duke vlerësuar shumë shkollën e trajningut holandez, ku si shembull specifik, përveç përmendjes së Marko van Bastenit (me Holandën), Leo Benhakerit (me Poloninë) e Gus Hidinkut (me Rusinë), ishit ju.
Në fakt, një gazetar që punon për FIFA-n më ka kërkuar mendimin tim në lidhje me Kombëtaren e Shqipërisë, por unë personalisht nuk e kam lexuar atë artikull. Shqipëria ka bërë hapa përpara, nuk kam pse ta mohoj, por ka dhe një grup të mirë lojtarësh. Shkolla holandeze e trajningut gjithmonë ka qenë ndër më të vlerësuarit e ka nxjerrë trajnerë me emër. Ka shumë autoritet në Europë. Henri Mishels, për shembull, mbetet një nga më të mëdhenjtë.
Ju keni qeni lojtar i tij, madje kur keni luajtur me Kombëtaren e Holandës keni bërë dhe dy gola të famshëm në kampionatet botërore (1974, 1978), me gjuajtje nga distanca të largëta. Tani, në rolin e trajnerit, si e gjykoni Hanin futbollist?
Kemi qenë një brez i mirë lojtarësh. Gjithçka që ndodh në futboll ka logjikën, por dhe të papriturën. Golat e mëdhenj janë gjithmonë jashtë serie. Por, nëse dikush do të guxonte të gjuante tani nga një distancë aq të largët, do ta quaja të çmendur.
Ndihmësi juaj i radhës, Vim Surbir, është një tjetër nënkampion bote me Holandën. (Surbir ka realizuar dy gola kundër Tiranës në ndeshjet e Ligës së Kampioneve në vitin 1970, të përfunduara 2-2, më 16 shtator 1970 në Tiranë). Si e vlerësoni kontributin e tij në punën tuaj?
Me Surbir njihemi prej më shumë se 30 vitesh. Kemi qenë e mbetemi gjithmonë miq të mirë, sikur kemi qenë te Ajaksi e më pas. Është një bashkëpunëtor të cilin e çmoj shumë. Është një njohës i mirë i trajningut, por edhe i taktikës. Është i zoti në të kuptuarin e lojës së kundërshtarit.
Ju keni trajnuar përfaqësueset e tri kontinenteve të ndryshme. Fillimisht në Azi me Kinën, më pas në Afrikë me Kamerunin dhe tani në Europë me Shqipërinë. Si jeni ndjerë te të tria, përfshirë dhe Shqipërinë?
Janë vende me kulturë të ndryshme jetese dhe traditë e histori të ndryshme në futboll. Në Kinë pata jo pak suksese, kam dalë nënkampion i Azisë. Isha gjatë Lojërave Olimpike (gusht 2008) dhe e ndjeva respektin e tyre. Kameruni është thjesht një histori e shkurtër. Pak gjëra mund të them. Shqipëria, e kam përsëritur shpesh, është një vend europian. Ndihem i kënaqur këtu. Kam bërë shumë miq.
Pas pak ditësh (më 16 nëntor) ju mbushni 60 vjeç. Çfarë do t’i bënit dhuratë vetes?
(Qesh). Hëm..., së pari fitoren me Azerbajxhanin!
Një kualifikim në Botëror?
...ka dhe gjashtë ndeshje, por...

Shqipëria e Hanit

Holandezi në krye të Kombëtares bëri një start të pabesueshëm në katër ndeshjet e para: 5 pikë, kur u ka hequr nga dy pikë në çdo ndeshje dy gjigantëve të futbollit europian e botëror, Suedisë në Tiranë (0-0) e Portugalisë në Bragë (0-0). E vetmja humbje - disi e pranueshme - është ajo me Hungarinë në Budapest (2-0), ndërkohë që fitorja e vetme është ajo me Maltën në Tiranë (3-0). Në ndeshjet miqësore, Han humbi me Poloninë (1-0, në Gjermani) dhe fitoi 2-0 me Lihtenshtejnin në Tiranë.

Përballjet e Shqipërisë me Azerbajxhanin

08.02.2000
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Edvin Murati 37'

27.03.2002
Shqipëri - Azerbajxhan 1-0
Shënues: Igli Tare 39'

17.08.2005
Shqipëri - Azerbajxhan 2-1
Shënues: Bushi 28', Cana 72'/ Takishzahda 2'

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›