Seferi, i rëndësishëm për MyPan

Klubi finlandez MyPa e ka finalizuar transferimin e futbollistit kosovar Fidan Seferi. Trajneri i klubit finlandez, Toni Kunnas e ka lavdëruar sulmuesin e shkathtë kosovar, i cili kaloi një sezon të shkëlqyeshëm në ligën e dytë finlandeze duke realizuar 13 gola me ekipin FC Espoo.
“Është një sulmues mjaft i mirë, i shpejtë dhe inteligjent. Vitin e kaluar ka shënuar 13 gola në ligën e dytë dhe mendoj se tash me ne do të përmirësohet edhe më shumë dhe do të kontribuojë për MyPan. Ditët e tij të mira janë vetëm duke filluar”, theksoi trajneri i MyPas për ueb faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi kosovar ka nënshkruar kontratë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një tjetër. 24 vjeçari mezi pret ta nis aventurën e re në elitën e futbollit finlandez, pasi kaloi një sezon të shkëlqyeshëm në një rang më të ulët garash.
“Është një ndjenjë e mirë që kam ardhur këtu. Sezoni i kaluar shkoi mirë dhe kur e mora ftesën që të vij këtu, jam përgjigjur pozitivisht pa dyshuar”, tha Seferi, i cili në Espoo luajti bashkë me vëllanë e tij, Faton Seferi, që po ashtu ka mundësi që në të ardhmen t’i bashkohet MyPas.