E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulaçi me helm

Gjyshja 80-vjeçare merr familjen në qafë. 4 pjesëtarë të familjes Skënderaj në qytetin e Fierit përfunduan në gjendje të rëndë në spital, pasi konsuamuan një kulaç, të cilit në vend të sodës, e moshuara i kishte hedhur pesticidin e portokalleve

FIER - Një familje e tërë për pak përfundoi në mënyrë tragjike, teksa një pakujdesi e gjyshes së shtëpisë shkaktoi helmimin e të gjithë familjarëve, të cilët përfunduan në urgjencë. Fatime Skënderaj, 80 vjeçe, kishte përgatitur drekën për të gjithë pjesëtarët e shtëpisë, e po kështu kishte bërë edhe një kulaç. Por, ndërsa gatoi kulaçin, e moshuara bëri një gabim fatal, pasi në vend të sodës së bukës, i hodhi brumit një pesticid, të cilin Flamuri, i biri i saj, e kishte blerë për të spërkatur portokallet. E vetmja që shpëtoi pa e ngrënë kulaçin ishte gruaja e djalit, pasi ajo ende nuk ishte kthyer nga puna.

Ngjarja

Pasi ishte shërbyer dreka, të gjithë pjesëtarët e familjes Skënderaj: Flamur, Fatime, Marius, Mariana, si dhe motra e nuses, e cila kishte ardhur për vizitë, janë përfshirë nga dhimbje të forta stomaku dhe këputje trupi. Me një fqinjin e tyre ata mundën të shkonin në spitalin e Fierit, për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas Fatimes 80-vjeçare, e cila aktualisht ndodhet e shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën, gjithçka ndodhi fare pa kuptuar. “Vendosa t’i gatuaj familjes një kulaç, pasi ishte mysafire edhe motra e nuses. Pasi e poqa kulaçin, e nxora atë që familja ta hante të ngrohtë”, thotë për gazetën e moshuara. Sipas saj, rreth orës 13:30 u shtrua dreka, ndërsa vetëm 30 minuta më vonë të gjithë kishin shqetësime shëndetësore, duke përfshirë edhe një gjendje të fikti. Burime spitalore thanë se Fatimja dhe djali i saj, Flamuri, u shtruan menjëherë dhe iu dha ndihma e parë në repartin patologjik të spitalit, ndërkohë që dy fëmijët binjakë të Flamurit, Mariusi dhe Mariana u shtruan në pediatri. Anëtarët e familjes Skënderaj iu nënshtruan një terapie të fortë me serume e antihelme, si edhe lavazhi të stomakut.

Fëmijët: “Mami e la helmin mbi frigorifer”

Binjakët motër e vëlla pohuan për “Korrierin”, se babai i tyre, Flamuri është i papunë, ndërsa e ëma, Dhurata, punon në një rrobaqepësi në Fier. Gjyshja na bën ushqim, pasi mami ikën herët në mëngjes në punë dhe kthehet pasdite vonë, ndaj nuk ka mundësi të gatuajë”, thanë ata. Sipas tyre, pesticidin e portokalleve e kishte blerë i ati për të spërkatur drurin frutor, i cili kishte zënë miza. “Mami e kishte lënë mbi frigorifer nga pakujdesia, pasi nxitonte të punonte që të na shërbente të gjithëve”, shprehen të miturit. Mjeku toksikolog në spitalin e Fierit, Kilo Stoja, pohoi se “pacientët mbërritën në urgjencë në gjendje tepër të rëndë”. “Një ekip mjekësh u ndenjën atyre mbi kokë për orë të tëra, deri mëngjesin e së martës. Pasi kryen një sërë kurash, serumesh e lavazhesh stomaku, gjendja e tyre është përmirësuar, por për siguri të jetës mund të flitet pas shumë orësh”, përfundoi mjeku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›