E Diel, 1 Nëntor 2026

Fenomeni ‘Ndoka’ dhe garancitë që kërkon nga Berisha

Kryetari i Partisë Demokristiane të përçarë, Nard Ndoka, ka bërë dy deklarata publike që vizatojnë realisht deformimin real të demokracisë në skenën politike shqiptare. Së pari, ai ka akuzuar Partinë Demokratike dhe nën zë zonjën Topalli se po i nxit rebelimin brenda partisë së tij. Së dyti, ka kërkuar ndihmë nga zoti Berisha që t’i heqë nga qeveria dy zëvendësministrat që i janë rebeluar. Në dukje janë kërkesa dhe deklarata të thjeshta dhe bëhen edhe më të parëndësishme, po të kihet parasysh që është për një parti “kërpudhë”, të lindur në parlament. Por thelbi i tyre është ilustrim i qartë i deformimit të standardeve demokratike.

Së pari, problemet e krijuara në partitë e vogla dëshmojnë më shumë sesa mungesën e demokracisë brenda tyre, mungesën e një partie reale. Duke qenë pa peshë elektorale dhe vetëm bashkim kontraktual individësh, këto parti deformohen dhe plasariten, sapo “preja” e pushtetit nuk ndahet në rregull. Duke qenë se fuqia e tyre bazohet tek afërsia me partinë kryesore në pushtet, dhe paranojat e kryetarit të saj dhe gjithë kryetarëve të këtyre partive në përgjithësi lidhen me partinë e madhe në pushtet. Në këtë rast, zoti Ndoka e ka gjetur armikun e vet dhe ajo quhet Jozefina Topalli, e cila, në fakt, është e vetmja figurë e PD që meriton të sulmohet publikisht për ndihmën që iu ka dhënë demokristianëve për t’u faktorizuar, atëherë kur nuk ishin asgjë, duke iu dhënë deri dhe anëtarë KQZ-je në Kushtetutë. Paranoja gati hrushoviane që partitë e vogla kanë nga “rrufetë” që mund t’iu vijnë nga “Moska” e tyre janë tipike, sa herë ato kanë probleme të brendshme dhe rasti i demokristianëve në këtë moment është tipik.

Së dyti, problem më i rëndësishëm që zbulohet nga ky konflikt është thirrja që kreu i demokristianëve bën për përjashtimin e dy zëvendësministrave që janë ngritur kundër tij. Në këtë rast, zoti Ndoka kërkon ndihmën e “Komitetit Qendror” për të shkatërruar grupin armiqësor, ndërsa në rastin e parë akuzon “Komitetin Qendror” që po i krijon një fraksion armiqësor. Pra, paradoksi është se PD dhe qeveria e saj duhet të ndërhyjnë në punët e partisë së Ndokës vetëm për të forcuar pushtetin e Ndokës dhe për asgjë tjetër. Në rast se dikush thotë që Nard Ndoka ndan tendera me njerëzit e vet, Sali Berisha duhet t’i rrijë gati dhe ta përjashtojë nga administrata. Në rast se dikush thotë që Nard Ndoka shet me lekë vende pune për çdo socialist që vetëquhet demokristian, Sali Berisha duhet të jetë gati ta heqë këtë zyrtar që akuzon nga puna. Në rast se ndonjë drejtor i administratës demokristiane thotë që spitalet i ka mbytur paaftësia dhe korrupsioni, ata duhet të ndëshkohen prej Sali Berishës për të shpëtuar nderin e Nard Ndokës. Pra, në njëfarë mënyre, Nard Ndoka në cilësinë e kryetarit të demokristianëve, kërkon garanci nga Sali Berisha dhe shumica në pushtet që dhe atij t’i garantohet pushteti brenda partisë, ashtu siç është garantuar posti i kryeministrit me ndryshimet kushtetuese, për të cilat ai votoi. Në njëfarë mënyre, ai kërkon që Berisha t’i kthejë nderin dhe ta bëjë dhe atë po ashtu kryetar të përjetshëm, ministër të përjetshëm dhe t’iu shpallë luftë gjithë armiqve të tij. Ky deformim në thelb i sistemit vjen nga mentaliteti i krijuar së pari nga partitë e vogla, se i rëndësishëm është ai që mban vulën dhe që bën pazar me të parin e vendit. Gjithë të tjerët janë rrogëtarë të emëruar prej tij që largohen, nëse nuk përballojnë dot pazaret. Ky mentalitet po demonstrohet hapur këto ditë, kur një pjesë demokristianësh, të zemëruar me kryetarin e tyre, po thërrasin një kongres të jashtëzakonshëm.

Tashmë, çështja është nëse shumica në pushtet do të ndërhyjë apo jo në këtë krizë. Zoti Ndoka e ka bërë të qartë se ai kërkon ndërhyrje vetëm për të shpëtuar pushtetin e tij, pra për t’i përjashtuar rebelët nga puna dhe asnjë lloj ndërhyrje tjetër si ajo që ai akuzon zonjën Topalli. Por, në të vërtetë, ky është një rast i mirë, kur drejtësia duhet të ndërhyjë për të certifikuar legjitimitetin e kuvendeve false të partive të vogla dhe të diktojë legjitimitetin e tyre, për të marrë fund njëherë e përgjithmonë “fraksioni i vulës”, siç thoshte Genc Pollo për Sali Berishën vite më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›