Topi dekreton ndryshimet kushtetuese
President i ardhshëm i Republikës do të zgjidhet me vetëm 71 deputetë. Kreu i shtetit, Bamir Topi, pavarësisht kundërshtimeve paraprake i ka dhënë "Ok" ndryshimeve kushtetuese, duke sanksionuar në këtë mënyrë jo vetëm zgjedhjen e pasardhësit të vet me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend, por duke ligjëruar dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor nga ai mazhoritaro-proporcional në proporcional-rajonal. Kreu i shtetit, nisur dhe nga vota dërrmuese me të cilën u miratuan këto ndryshime, ka shpallur dje dekretin e tij, për miratimin e ligjit për amendimin e Kushtetutës. Pavarësisht kundërshtimit të një pjese të mirë të deputetëve demokratë dhe të një pjese të partive të vogla opozitare, kreu i shtetit ka zbatuar të drejtën e tij, duke mos kundërshtuar vullnetin dhe konsensusin e dy partive të mëdha, të cilat më 21 prill miratuan në Kuvend, me 115 vota, paketën e ndryshimeve në Ligjin Themeltar të Shtetit. "Shpall Ligjin Nr.9904, datë 21.04.2008 "Për disa ndryshime në Ligjin Nr.8417, datë 21.10.1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar", - bëhet e ditur në faqen zyrtare të Presidencës. Paketa në fjalë, para miratimit, shkaktoi një debat shumë madh jo vetëm midis partive të vogla dhe të mëdha, por edhe brenda vetë gjirit të Partisë Demokratike. Objekt i konfliktit ishin pikërisht dy nenet, neni 64, që kishte të bënte me ndryshimin e sistemit dhe neni 87, që përcaktonte mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Për këtë të fundit, një pjesë e deputetëve demokratë të cilësuar si mbështetës të presidentit Topi, kërkonin që kreu i ardhshëm i shtetit të zgjidhej me votim popullor.