Të akuzuarit për vrasjen e Azem Hajdarit, Strasburgu kritika qeverisë për gjykatësen e zgjedhur
TIRANË- Gjykata e Strasburgut refuzon këshilltaren e Ministrit të Drejtësisë dhe përfaqësuesen ligjore të Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, juristen Marsida Xhafellari, që të përfaqësojë shtetin shqiptar si gjyqtare në gjykimin e çështjes së Jaho Mulosmanit, pas dorëheqjes së gjyqtarit Ledi Bianku nga gjykimi i saj. Ky refuzim i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, shoqërohet edhe me kritika ndaj qeverisë shqiptare, duke e quajtur këtë kandidate për gjyqtare AD HOC për çështjen Mulosmani, si dhunim të pavarësisë dhe paanshmërisë së kësaj gjykate. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme dhe avokatëve mbrojtës, të tre vëllezërit Haxhia dhe Jaho Mulosmanit, të dënuar për vrasjen e deputetit Azem Hajdari në shtator të 1998. Sipas këtyre burimeve, mësohet se shkresa zyrtare dërguar dikasterit të Ministrisë së Jashtme, konkretisht zyrës së përfaqësuesit ligjor të qeverisë shqiptare në Gjykatën e Strasburgut, përveç kritikave drejtuar qeverisë për dërgimin e kandidates Marsida Xhafellari që mban post politik si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe juriste e Këshillit të Ministrave në mbrojtjen e Ligjit të Gjobave që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, Gjykatae Strasburgut i ka vendosur afat deri me datën 21 maj qeverisë shqiptare për dërgimin e emrit tjetër për gjykimin e kësaj çështjeje. "Dërgimi i kandidates për gjyqtare AD HOC pranë Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, znj.Marsida Xhafellari në gjykimin e çështjes së Jaho Mulosmanit dhe tre vëllezërve Ismeti, Isamedini dhe Izet Haxhia cënon parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së gjykatës. Pasi pozita e saj si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë, cënon pavarësinë edhe të gjykimit të çështjes ndaj tre shtetasve shqiptarë Jaho Mulosmanit, Ismeti, Isamedini dhe Izet Haxhia kundër shtetit"-thuhet ndër të tjera në shkresën dërguar qeverisë shqiptare nga Gjykata e Strasburgut. Gjithashtu, në këtë shkresë zyrtare që mban firmën e gjyqtarit të seksionit të regjistrimit të çështjeve, thuhet se qeveria shqiptare deri më datë 21 maj duhet të dërgojë emrin e ri për gjykimin e kësaj çështjeje. "Afati i dërgimit të një emri tjetër si kandidat për gjykimin e çështjes së Jaho Mulosmani dhe tre vëllezërve Haxhiaj duhet të caktohet brenda datës 21 maj, në të kundërtën, Gjykata e të Drejtave të Njeriut do të caktojë vetë një gjyqtar",-thuhet në shkresën dërguar qeverisë shqiptare që tashmë ndodhet edhe në duart e avokatëve mbrojtës, të cilët disa ditë më parë kanë dhënë relacionet përkatëse për emrin e kandidates së dërguar nga qeveria shqiptare që tashmë është refuzuar nga kjo gjykatë. Avokati Vladimir Meçi, i pyetur në lidhje me refuzimin e kësaj kandidature nga ana e Gjykatës së Strasburgut, u shpreh për "Shekullin" se " ky qëndrim i Gjykatës është i drejtë dhe në përputhje të plotë me parimet mbi të cilat është ngritur dhe funksionon ajo. Propozimi për të dërguar në Strasburg si një gjyqtar AD-HOC, një nëpunës, që mban një pozicion të rëndësishëm në administratën publike, siç është ai i këshilltares në Ministrinë e Drejtësisë, tregon për mungesë serioziteti nga ana e propozuesit. Komentet e tjera janë të panevojshme, arsyet e refuzimit që përmban letra nuk kanë nevojë as të komentohen dhe as të interpretohen". Ndërkaq, në fillim të muajt mars të këtij viti, gjyqtari shqiptar në këtë institucion Ledi Bianku, dha dorëheqjen nga gjykimi i çështjes së Mulosmanit, duke sjellë kështu ndërprerjen e përkohshme të procesit. Shkak për dorëheqjen e Biankut nga çështja e Jaho Mulosmanit është bërë një prononcim në media gati dy vite më parë, në lidhje me këtë çështje që po gjykohej në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke u shprehur për çështjen në cilësinë e ekspertit për të drejtat e njeriut. Dorëheqja e tij është vlerësuar e rregullt dhe e pranueshme, pasi gjyqtari Ledi Banku ka dhënë arsyen e dorëheqjes nga gjykimi i çështjes, duke evituar çdo keqinterpretim nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurit Jaho Mulosmani. Ndërsa, vetëm pak muaj më parë, Ledi Bianku u caktua nga qeveria si gjyqtar pranë Gjykatëssë të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke zëvendësuar gjyqtarin Kristaq Traja, të cilit i mbaroi mandati. Çështja "Mulosmani kundër Shqipërisë" është një ndër dosjet më të rëndësishme shqiptare që po shqyrtohet aktualisht në Gjykatën e Strasburgut, pasi i pandehuri pretendonse gjatë procesit gjyqësor në vendin tonë janë shkelur Konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
BOX
Jaho Mulosmani pretendon për proces të parregullt gjyqësor dhe prezumim të pafajësisë
"Mulosmani", Strasburgu nisi 6 pyetje për Berishën
TIRANË- Proces i parregullt gjyqësor dhe prezumim i pafajësisë. I dënuari i vetëm me burgim të përjetshëm për vrasjen e deputetit të PD-së, Azem Hajdari, i është drejtuar Gjykatës së Strasburgut kohë më parë dhe pretendimet e tij të mësipërme janë pranuar për t'u shqyrtuar. Edhe pse është dënuar si ekzekutori i Hajdarit, Jaho Mulosmani nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën, duke e çuar betejën e tij ligjore deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Mulosmani ka pretenduar se nga drejtësia shqiptare nuk i është siguruar një mbrojtje e drejtë dhe e paanshme, ndërkohë që një pikë e fortë e materialeve të tij, dërguar Strasburgut ka qenë përmendja e emrit të tij si ekzekutor i mundshëm, menjëherë pas krimit. "
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar menjëherë pas vrasjes, pa u kryer ende hetimet se autori ishte Jaho Mulosmani",-ka thënë ky i fundit në dosjen e tij për Strasburgun, duke e cilësuar këtë prezumim të pafajësisë. Nga ana e vet, Gjykata e Strasburgut ka pranuar të shqyrtojë çështjen "Mulosmani kundër Shqipërisë", duke i çuar njëherazi 6 pyetje qeverisë shqiptare për kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit është kërkuar disa herë si dëshmitar në gjyqin për vrasjen e Azem Hajdarit, por nuk është paraqitur edhe pas urdhrit për të dëshmuar forcërisht. Qeveria shqiptare i ka kthyer përgjigje Strasburgut se Berisha nuk ka dëshmuar në këtë proces, për shkak se gjykatat e asaj kohe ishin të pasigurta. Të gjitha këto dëshmi dhe kundërdëshmi ndodhen tashmë në Gjykatën e Strasburgut, e cila ka në proces gjykimine çështjen e Jaho Mulosmanit.
BOX
DËNIMET
Vendimi i gjykatës për vrasjen e Azem Hajdarit
TIRANË- Jaho Mulosmani, i akuzuari kryesor për vrasjen e deputetit të PD-së, Azem Hajdari, u dënua me burgim të përjetshëm, dënim maksimal, sipas Kodit Penal shqiptar. Me heqje lirie u dënuan edhe tre vëllezërit Haxhia, Ismeti me 20 vjet burg, Isamedini me 2.5 vjet burg, ndërsa Izet Haxhia u dënua me 25 vjet burg në mungesë. Ky i fundit u arrestua vetëm pak muaj më parë në Turqi, por ekstradimi i tij nuk duket aq i lehtë për autoritetet shqiptare të drejtësisë. Gjykata shpalli të pafajshëm ish-komisarin e policisë së Tropojës, Fatmir Meta. Me shumë interes në sallën e gjyqit, u prit deklarimi i trupit gjykues rreth motivit të vrasjes. Partia Demokratike për tre vjet rresht kishte thënë se vrasja kishte qenë politike, por trupi gjykues tha se deputeti Hajdari u vra në 12 shtatorin e 1998-ës për hakmarrje. Procesi gjyqësor për vrasjen e Azem Hajdarit cilësohen si një ndër gjyqet më të rëndësishme, ndërsa sipas PD-së, ishte lënë mjaft kohë për likuidimin njëri pas tjetrit të të dyshuarve të tjerë, si pjesëmarrës në vrasjen e tij. Azem Hajdari ishte një nga figurat kryesore të politikës shqiptare të viteve '90. Ai u vu në krye të lëvizjes studentore të dhjetorit 90, që çoi në përmbysjen e komunizmit në Shqipëri. Hajdari u zgjodh drejtpërsëdrejti nga populli si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në të gjitha votimet pluraliste pasardhëse.