Goditet arbitri, incidente në Skënderbeu-Flamurtari
TIRANE-Ka përfunduar me një skandal të vërtetë, polemika dhe akuza ndeshja mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, e luajtur në stadiumin e Pogradecit. Ajo që u duk si një reklamë për futbollin shqiptar për 76 minuta, u shndërrua sërish në një arenë baltosjeje për të. Goli i avantazhit 2-1 për korçarët, i shënuar nga Bledi Shkëmbi, ishte në pozicion jashtë loje dhe kjo shërbeu për rinisjen e një problemi jo të zakonshëm në futboll. Vlonjatët protestuan, pasi një futbollist i Skënderbeut në momentin e goditjes së Shkëmbit ishte përpara portierit Spaho, duke i penguar rrezen. Ndërkohë, gardiani i ekipit vlonjat shkoi të protestonte tek anësori Ridigels Çokaj, i cili në ato çaste mori një gur në kokë, duke u gjakosur. Kjo çoi në ndërprerjen e ndeshjes për të paktën 14 minuta, ndërsa drejtuesit e ekipit vlonjat kërkonin ndërprerjen përfundimtare të saj. Arbitrat vendosën të rifillonin, duke caktuar si anësor gjyqtarin e katërt Artan Taullaraj. Pas kësaj, në fushë nuk pati më futboll, pasi lojtarët e Flamurtarit, pas urdhrave të marrë nga drejtuesit, hapën portën, duke lejuar që korçarët të shënonin edhe dy gola të tjerë. Pas ndeshjes, shefi i klubit Flamurtari Geri Çipi tha se do të kërkohen pikët në tavolinë, ndërkohë që trajneri i Skënderbeut Levi, deklaroi se i vinte turp për sjelljen e kundërshtarit.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)