E Shtunë, 31 Tetor 2026

Segmenti i fundit i Unazes se Madhe te Tiranes

Fillimi i javës së dytë të gushtit shënon dhe hapjen e tenderit nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për segmentin e Unazës së Madhe që shtrihet nga shkolla Teknologjike deri tek qendra Kristal, ku i bashkohet pjesa tjetër e kësaj unaze që është drejt përfundimit.
Projekti i hartuar nga Bashkia e Tiranës dhe që do të financohet nga qeveria shqiptare parashikon që segmenti i Unazës së Madhe të ketë gjatësi rreth 2.8 km dhe të njëjtën gjeometri me segmentet e përfunduara të kësaj unaze. Në projekt parashikohet edhe ndërtimi rrugëve paralele me të gjitha shtresat rrugore, rrjetin e kanalizimeve te ujërave të ndotura dhe të ujërave të bardha, ujësjellësi, ndriçimin rrugor, gjelbërimin dhe sinjalistikën vertikale dhe horizontale.
Unaza e madhe është konceptuar të funksionojë si rrugë shpejtësie 80km/orë, me hyrje dalje të disiplinuara, me 2 karexhata, të cilat kanë 2 vija kalimi 2 x 3.5 m, korsi emergjence 3.5m, si dhe 3 breza gjelbërimi me gjerësi 2m (2 anësore dhe 1 në mes).
Ky investim i rëndësishëm do të lidhet edhe me rrethrrotullimin e doganës ku Bashkia e Tiranës është drejt përfundimit të ndërtimit të korsive të reja që do të shërbejnë për normalizimin e rreth 25 mijë mjeteve që hyjnë e dalin çdo ditë në këtë aks problematik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›