E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i bankiereve greke

Edhe bankierët grekë nuk kanë humbur kohë dhe si shumë të tjerë bashkëkombas prej kohësh kanë transferuar paratë e tyre jashtë shtetit. Kjo ka ndodhur me kreun e bankës  Bujqësore greke (ATEBank Group), Theodoros Pantalakis, i cili sipas të përditshmes financiare britanike FT ka transferuar 8 milionë euro kursime personale për të blerë një pasuri të patundshme në Londër disa muaj më parë se banka që ai drejtonte të falimentonte. Pantalakis dha dorëheqjen nga posti i drejtuesit të bankës bujqësore greke  në muajin korrik kur kjo bank u ble prej 95 milionë euro nga Piraeus Bank. Por kjo ngjarje ka shkaktuar debate të forta në arenën politike të Athinës. 
Ish shefi ekzekutiv i Bankës Bujqësore të Greqisë (ATEbank), mohoi me forcë kryerjen e ndonjë veprimtarie kriminale nga ana e tij, duke thënë për Realnews, një website grek, se ai ka deklaruar këtë transaksion tek autoritetet në vitin 2011 dhe kishte paguar taksa mbi shumën e transferuar.
“Tani jam me pushime dhe nuk kam ndërmend të flas derisa të kthehem në Athinë,” tha Z. Pantalakis për FT nga vila në ishullin Paros në Egje.  Pantalakis duhet të dëshmojë për tre vitet e tijë në krye të ATE bank përpara një komisioni parlamentar brenda fundit të muajit gusht. Por ky nuk është rasti i vetëm, në fakt prej disa vitesh që me shpërthimin e krizës së borxhit grek, shumë politikanë, ushtarakë dhe bankierë grekë po tërheqin kapitalet e tyre për t’i investuar ato jashtë vendit, kryesisht duke blerë pronësi luksoze në Londër apo në qytete të tjera të mëdha botërore. Ndërkohë guvernatori i BQG George Provopoulos ka deklaruar se BQ prej kohësh ka dorëzuar një listë të detajuar me transferime të ngjashme në financat greke.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›