E Diel, 1 Nëntor 2026

Veprat kriminale arrestohen tete persona qe ishin ne kerkim

Tetë persona në kërkim për krime të rënda si vrasje dhe tentative vrasjeje, pjesëmarrje në organizata kriminale apo edhe për krime ordinere janë arrestuar nga shërbimet e policisë së Tiranës në 10 ditët e fundit. 
Gjashtë prej arrestimeve ishin ekzekutuar vetëm nga komisariati numër 3 i Policisë së Tiranës, dhe dy të tjerët nga shërbimet e komisariatit numër 2.
Sipas shefit të Komisariatit numër 3 të Policisë, Urim Rexhepi, element kyç në kapjen e të kërkuarve, ka qenë bashkëpunimi me komunitetin dhe rritja e besimit të tyre tek policia.
Për një prej të arrestuarve, Ervin Osmanaj, i cili kërkohej për vrasje të ndodhur në vitin 1992, në polici nuk kishte as fotografi që kryente identifikimin e tij. 
Ishin informacionet e sakta të ardhura nga komuniteti dhe një punë e mirë dokumentuese nga oficerët e hetimit të krimit të Komisariatit numër 3 që mundësuan identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e Osmanajt.
Mes të arrestuarve është edhe Shkëlqim Gjokaj, i dënuar me 5 vite burg për prodhim të bombave me celular, një element i konstuar në ekzekutimet mafioze në vend. 
Ndërsa të hënën, shërbimet e komisariatit numër 3 kanë kapur 24-vjeçaren, F.Gjoni, e cila ishte denoncuar e zhdukur me qëllim trafikimi për prostitucion nga prindërit e saj që në korrikun e vitit 2005. 
Gjoni është gjetur nga shërbimet e policisë bashkë me djalin e saj 1 vjeç, ndërsa i është dorëzuar oficerëve të antitrafikut për të hetuar dyshimet për rrëmbimin dhe shfrytëzimin e saj në Greqi.
Prej startimit të sezonit turistik veror drejtoria e policisë së Tiranës kërkoi prej komisariateve rritjen e informacioneve për personat me tendencë për kryerjen  e veprave penale dhe të kërkuarve, pasi për shkak të mbërritjes së emigrantëve për pushimet verore, shtohet rreziku i përballjes së hasmërive të vjetra mes elementëve kriminalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›