Sejdiu: Në Slloveni, të pranishëm vetëm si shtet
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk ka marrë ende një ftesë zyrtare për konferencën BE-Ballkani Perëndimor, e cila do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë më 20 mars 2010. Sipas mediave , është informuar se udhëheqësit e Kosovës, përkatësisht presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, "tashmë kanë pranuar" që të marrin pjesë në këtë konferencë, ndonëse në dokumentet e konferencës Kosova pritet të përfaqësohet me siglën "UNMIK/Kosovë". "Për këtë arsye, dëshirojmë të sqarojmë opinionin se presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në takime ndërkombëtare, do ta përfaqësojë vendin tonë, vetëm në kushte të barabarta me të gjithë presidentët e vendeve të tjera dhe kurrësesi me të tejra forma", thuhet në një komunikatë të Zyrës për informim të presidencës kosovare. Ndërkaq, përsa i përket ftesës eventuale për UNMIK-un, presidenti Sejdiu thekson se dërgimi ose jo i ftesës për këtë organizëm është çështje e organizatorëve, porse në emër të Kosovës nuk mund të flasë askush tjetër përveç përfaqësuesve të saj legjitimë. Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi ka thënë se ende nuk ka mbërritur ftesa për këtë konferencë rajonale, megjithëse, sipas tij, parimisht dihet se Kosova do të jetë pjesëmarrëse. Por sidoqë të jetë, Krasniqi ka thënë se Kosova do të përfaqësohet vetëm nga udhëheqësit e saj.