E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Dëshmuam para botës se pavarësia e Kosovës, solli stabilitet dhe paqe në rajon

Kuvendi i Kosovës, seancë solemne në Ditën e Pavarësisë

Kosovën e mbuluan dje emocione të shumta të përziera me festime të veçanta për 2 vjetorin e pavarësisë së saj. Në festimet e djeshme, udhëheqësit e saj politikë thanë se Kosova e pavarur është shndërruar në faktor të paqes e qëndrueshmërisë në rajon. Ata vlerësuan se dy vjet të Kosovës së pavarur dëshmuan se i sollën rajonit më shumë stabilitet dhe paqe, duke theksuar se vendi ka arritur mjaft përparime duke numëruar këtu anëtarësimin

e saj në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtarë. Udhëheqësit e lartë politik të Kosovës theksuan se viti i dytë i shtetit më të ri në botë ishte edhe periudhë sfidash të mëdha, përfshirë përballjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në pranverën e këtij viti duhet të jap një opinion lidhur me pavarësinë e Kosovës. Pas pavarësimit, Kosovën e presin shumë sfida, nisur nga demokratizimi i brendshëm dhe zhvillimi ekonomik, e deri tek integrimi i saj në strukturat euroatlantike. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe në botë, por kjo nuk është një përparësi, përkundrazi është një pengesë në udhën e vështirë dhe plot përgjegjësi për të ardhmen. Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu gjatë fjalës së tij theksoi se pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova pret njohje të reja. Duke kërkuar nga Serbia ndaljen e ndërhyrjeve në veri të Kosovës, Sejdiu u shpreh se Kosova si shtet i ri ka raporte të mira me të gjitha vendet fqinje, përjashtuar Serbinë. Problemi ynë i vetëm në raportet me jashtë, mbetet Serbia, e cila po e vazhdon politikën e saj agresive kundër Kosovës. Beogradi zyrtar po i financon strukturat paralele serbe, të cilat veprojnë në veri të vendit, ku ende kemi shkallë të lartë të kontrabandës dhe të kriminalitetit ekonomik. Ne besojmë se kjo gjendje atje duhet të marrë fund, ndërsa njerëzit duhet të kenë të drejtën e tyre për tu kthyer në shtëpitë e tyre; serbët në jug, ndërsa shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët në veri, aty ku kanë jetuar me shekuj, tha Sejdiu.
Thaçi: Pavarësia e Kosovës, meritë e çdo qytetari secili duhet të ndihet krenar
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se në dyvjetorin e shtetit, Republika e Kosovës është vend i konsoliduar, me të cilin secili qytetar duhet të ndihet krenar. Vizionin tonë të përbashkët dhe universal për liri, pavarësi dhe rend demokratik në atdheun tonë, e realizuam bashkërisht, me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetar. Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe secili duhet të ndihet krenar kudo që jeton, u shpreh Thaçi. Vëmendjen për një përqendrim në zhvillimin ekonomik e tërhoqi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai tha se varfëria po shndërrohet në armikun më të madh të Kosovës së pavarur. Ne, qytetarët e Kosovës, tash kemi një armik të përbashkët të quajtur varfëri dhe interesin e lartë për jetë më të mirë, të sigurt e të dinjitetshme. Vlera e pavarësisë së Kosovës matet, në radhë të parë, me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve, por ne duhet ta ndërtojmë bashkë, e me duart tona të ardhmen tonë , u shpreh gjatë fjalës së tij kryeparlamentari Krasniqi. Krerët e institucioneve përmendën edhe sakrificën dhe kontributin e gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Dyvjetorin e pavarësisë, qytetarëve ua kanë uruar edhe përfaqësuesit e opozitës në Kuvend. Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, tha se do të dëshironte të ketë më shumë angazhim të Qeverisë për zbutjen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët. Po ashtu, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, tha se çdo kosovar i gëzohet kësaj dite, por edhe lutet për një zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës. Edhe disa nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës vlerësuan se në dy vjetët e fundit, në Kosovë kishte në relaksim të gjendjes së përgjithshme të sigurisë dhe lirisë së lëvizjes. Rada Trajkoviq nga Këshilli Nacional Serb tha se liria e lëvizjes tash duhet të marrë edhe karakterin e lirisë për punë për komunitetin serb.

Last Updated on E Merkure, 17 Shkurt 2010 21:22

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›