Sejdiu-Haradinaj, diskutojnë për gjendjen aktuale në Kosovë
President i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ditën e djeshme është takuar me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në këtë takim u bisedua për gjendjen aktuale në Kosovë, ndërsa vëmendje iu kushtua nevojës së shtimit të efikasitetit të punës së pozitës dhe të opozitës, për të mirën e qytetarëve dhe të vendit si dhe nevojën e veprimeve
që do të ndikonin në mënjanimin e disa dobësive që janë paraqitur në zgjedhjet e fundit lokale. Gjithashtu në këtë takim, u shtrua gjithashtu edhe nevoja e bashkëpunimit të të gjithë faktorëve politikë, që të mënjanohen dobësitë e shprehura në fusha të ndryshme, të cilat ngadalësojnë zhvillimin e vendit dhe ndikojnë në jetën e qytetarëve. Takimi i presidentit Sejdiu me kreun e AAK, Haradinaj u zhvillua në kuadër të diskutimeve të vazhdueshme që presidenti ka me liderët e partive politike.