E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu-Hyseni në SHBA për njohje të reja

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni udhëtojnë në fundjavë për në Nju Jork, ku do të zhvillojnë takime me përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë, e të cilët marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kosova nuk do të jetë pjesëmarrëse e asamblesë, pasi nuk ka marrë numrin e mjaftueshëm të njohjeve, por shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni tha se do të shfrytëzohet pjesëmarrja e udhëheqësve botërorë për të zhvilluar aktivitete lobuese për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
"Jam optimist se këto takime do të rezultojnë në veprime konkrete nga vendet përkatëse në drejtim të njohjes. Këto takime do të rezultojnë dhe gjithsesi do të sensibilizojnë më tej opinionet në vendet që ende nuk kanë marrë vendim të shqyrtojnë njohjen", deklaroi Skënder Hyseni.
Kryediplomati kosovar tha se delegacioni i Kosovës i kryesuar nga presidenti Sejdiu do të marrë pjesë edhe në darkën tradicionale që do të shtrojë presidenti amerikan, Barak Obama për liderët botërorë. "Pritja që presidenti Obama organizon, ku është i ftuar edhe delegacioni i Kosovës, janë pritje që presidenti SHBA-së organizon çdo vit dhe natyrisht presidenti i Kosovës do të marrë pjesë në këtë pritje, sipas ftesës së veçantë të bërë nga presidenti Barak Obama", tha shefi i diplomacisë kosovare Skënder Hyseni.
Hyseni u shpreh se 95 përqind të kërkesave që ka bërë Ministria e Jashtme për takime janë drejtuar tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›