E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Kosova së shpejti hap ambasadën në Podgoricë

Podgoricë – Gjatë fillimit të këtij viti, Kosova do të çel selişnë e saj diplomatikë në Podgoricë. Sipas mediave malazeze këtë e ka konfirmuar vetë presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu. Ky i fundit, pasi ka biseduar me homologun malazez Vujanoviç dhe Ministrin e Jashtëm, Roçën, ka deklaruar se marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të intensifikohen dhe të kurorëzohen me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, e konkretisht me çeljen e ambasadave.

Sejdiu tha se për këtë çështje është biseduar me presidentin Vujanoviq dhe me ministrin e Jashtëm Roqen. "Nuk mund të them saktësisht se në cilën ditë do të bëhet kjo, pasi po zhvillohen edhe disa procedura të brendshme", tha Fatmir Sejdiu. I pyetur nëse ka probleme rreth përcaktimit të kufirit me Malin e Zi, ai tha se nuk beson, por nëse edhe ka, atëherë kjo është simbolike. "Kosova dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Malin e Zi, Mali i Zi ka qasje të tillë dhe nuk besoj që çfarëdoqoftë mund të të trazojë marrëdhëniet e tilla", ka thënë Sejdiu. Duke u shprehur për politikën e Serbisë ndaj Kosovës, presidenti Sejdiu tha se " për fat të keq politika serbe ende nuk po mund të lirohet nga qëndrimi që e ka pasur Sllobodan Millosheviqi" dhe shtoi se " unë them se nuk ka luftë, ndërsa retorika ka mbetur e njëjtë".

Presidenti i Kosovës tha se pret që së shpejti të nisë vala e dytë e njohjes së Kosovës. "Kam njoftime se një grup shtetesh është në proces të njohjes, por nuk na takon neve të imponojmë që të marrin vendime të tilla. Ne duhet të ofrojmë të dhëna të mjaftueshme dhe kërkojmë mbështetjen e miqve tanë", ka theksuar Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›