E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj rekomandon hapjen e nënstacioneve policore në veri

Prishtinë - Vendosja e nënstacioneve të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës, në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in do të ishte zgjidhja më e mirë e mbajtjes së situatës së sigurisë nën kontroll. Kështu tha kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Prishtinë me ç’rast shpalosi një plan sipas të cilit do të mund të menaxhohej situata e sigurisë në veri.

Me qëllim të ofrimit të ndihmës, për përmirësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës, pas incidenteve të fundit, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shpalosi sot një plan, sipas të cilit, institucioneve vendore u rekomandohet hapja e nënstacioneve policore në lagje të caktuara në pjesën veriore të Mitrovicës dhe fshatrave shqiptare e serbe pranë kufirit me Serbinë.

“Policia e Kosovës e vendosur në Mitrovicë mund të vendosë nënstacion në Lagjen e Boshnjakëve. Taktika e vendosjes së nënstacioneve është përdor edhe më herët. Njëkohësisht një nënstacion i Policisë së Kosovës mund të vendoset edhe në Suhadoll e po ashtu nënstacion mund të vendoset edhe në vendbanime tjera që shkojnë përgjatë rrugës për Leposaviq”, tha Haradinaj .

Haradinaj, tha se vendosja e 3 nënstacioneve të Policisë së Kosovës në veri, kërkon edhe angazhimin e përhershëm të një numri të caktuar të policëve mirëpo kjo do të ishte ndihmesë që do të garantonte parandalimin e sulmeve tjera.

“Ky veprim ka mundësi të zhvillohet në harmoni me EULEX-in që është prezent në veri, forcat e KFOR-it po ashtu, në mënyrë që një pjesë e asaj që quhet rend, të ndodh drejtpërdrejtë dhe të garantohet prona, jeta e njerëzve por edhe të evitohen incidentet e mundshme çfarë i kemi parë në këtë kohë”, tha Haradinaj .

Vendosjen e nënstacioneve të Policisë së Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e arsyetoi me faktin se nuk mjaftojnë vetëm thirrjet për vetëpërmbajtje nga krerët e institucioneve pasi sipas tij jo të gjithë qytetarët që jetojnë në atë pjesë mund të vetëpërmbahen pasi ka edhe të atillë që në agjendën e tyre e kanë, provokimin e situatës së sigurisë. RTK/Start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›