Sejdiu: Kullat shprehin qëndresën e shqiptarëve nëpër shekuj

Deçan, 27 dhjetor 20:11 NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Zëvendëskryeministri, z. Ram Manaj dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Valton Beqiri, në fshatin Llukë e Ulët (Komuna e Deçanit), sot bënë përurimin e Kullës së restauruar të Ali Demë Gecit, e cila që nga shekulli i VIII e deri më sot ishte djegur katër herë nga pushtuesit.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu pasi që tha se ndjehej i nderuar që po merrte pjesë në promovimin edhe njëherë të gjallërimit të kësaj kulle, theksoi se kjo kullë shpreh qëndresën e shqiptarëve autoktonë nëpër shekuj.
“Kjo është një kullë që ngrihet në simboliken e këmbënguljes përgjatë betejave të shumta për të qëndruar këtu e për të mos e lëshuar kurrë vendin”, - tha Sejdiu.
“Kulla e Ali Dem Gecës dhe kullat e tjera shprehin përkushtimin e mesazhit se do të jenë përcjellëse e vazhdueshme e mesazheve për brezat që do vinë për të qenë zot në shtëpinë e vet, e mesazheve për të punuar këtë tokë të mirë që e ka falë Zoti, e mesazheve për të pas afri solidaritet e bashkëpunim më njëri tjetrin”, - vuri në dukje Sejdiu.
Gjithashtu, Presidenti duke u uruat të gjithë banorëve të Llukës dhe të kësaj pjese të Kosovës, festat e fundvitit, shprehu bindjen e tij se Viti 2009 do të jetë vit i përkushtimit të madh për Kosovën.
“Nëse ka përfunduar lufta që ka qenë e imponuar dhe e përgjakshme, tash kemi një luftë për punë më tepër, luftë për të shumëfishuar energjitë tona, për të pasur një Kosovë të qëndrueshme dhe evropiane, një Kosovë që e do miqësinë me fqinjët e saj dhe lëvizjen e shpejt në integrimet Euro-Atlantike”, pohoi Presidenti.
Restaurimi i Kullës së Ali Demë Gecit u realizua me mbështetjen materiale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
a.b/NOA