E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Më shumë njohje Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka shprehur keqardhjen e tij për arrestimin tre agjentëve të Shërbimit Informativ gjerman (BND), vitin e kaluar në Prishtinë. "Na vjen keq për këtë incident të pafat dhe dëshirojmë të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira me Gjermaninë", deklaroi Sejdiu për gazetën gjermane "Suddojçen Zaitung". Sipas presidentit Sejdiu, ishte gabim publikimi i këtyre personave në televizion dhe se do të kishte qenë më mirë që çështja të zgjidhej në mënyrë të fshehtë. Presidenti Sejdiu, merr pjesë në Konferencën e Sigurisë që po zhvillohet në Mynih. Ai ka thënë gjithashtu se Kosova meriton të njihet nga më shumë shtete. Sejdiu e bëri këtë deklaratë para më shumë se 350 politikanëve, ushtarakëve dhe ekspertëve, pjesëmarrës në Konferencë. Sejdiu ka mbajtur për herë të parë në Konferencën e Mynihut një fjalim gjatë darkës së punës. Gjatë fjalës së tij, ai është përqendruar në arritjet e deritanishme të shtetit më të ri në botë. Dhjetë ditë para përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, Sejdiu tha se pret që të ketë njohje të tjera. "Këtë e kemi merituar, sepse përkundër dyshimeve të shumë vendeve të tjera e kemi treguar veten që jemi në gjendje të mbajmë një shtet", ka thënë Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›