E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zviceranët e duan Shaqirin titullar te Zvicra

Zuerich, 11 gusht - Zviceranët e duan mesfushorin kosovar të Baselit Xherdan Shaqirin në përbërjen e parë të Përfaqësueses së Zvicrës, për ndeshjen e së mërkurës kundër Austrisë dhe për të tjera kualifikuese për Euro2012.
Në një anketë të bërë me lexuesit e saj nga uebfaqja zvicerane "SF Sport", Shaqiri, ka marrë numrin më të madh të votave, gjithsej 42 për qind. Sipas "SF Sport", në këtë anketim kanë marrë pjesë mbi pesë mijë lexues.
Shaqiri 18-vjeçar prin bindshëm në listën prej pesë futbollistëve të rinj që janë ftuar nga seleksionuesi Ottmar Hitzfeld për ndeshjen miqësore kundër Austrisë, që luhet të mërkurën mbrëma.
Sipas të anketuarve, Shaqiri meriton të jetë titullar tek ekipi "helvetik", sepse është futbollist që premton shumë në të ardhmen. Sipas të anketuarve, Shaqiri u krijon sulmuesve zviceranë më shumë raste shënimi, sikurse që bën edhe te skuadra e Baselit.
"Shaqiri jo vetëm që krijon raste, por mundëson që raporti i sulmit të jetë më kërcënues për kundërshtarët", thuhet në uebfaqen zvicerane.
Në këtë anketë ai ka lënë pas vetes bashkëlojtarin e tij te Baseli, Valentin Stockerin, me 22 për qind të votave. Pas tyre renditen Nassim Ben Khalifa (Wolfsburg - 16%), Primin Schwegler (Frankfurt - 12%) dhe Franwois Affolter (Young Boys - 9%).
Njëjtë si anketuesit me gjasë do të mendojë edhe trajneri i Zvicrës Hitzfeld. Ai ka paralajmëruar se Shaqiri do të gjendet në ekipin startues kundër Austrisë, në Klagenfurt.
Pos Shaqirit në përbërje janë ftuar edhe tre shqiptarët të tjerë: Valon Behrami, Albert Bunjaku dhe Blerim Xhemajli, por ky i fundit nuk do të mund të luajë pasi është lënduar ndërkohë me skuadrën e tij, Parma.
Behrami, Bunjaku e Shaqiri luajtën më Zvicrën edhe në Botërorin "Afrikë e Jugut 2010" dhe që të tre u aktivizuan.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›