E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Prof, Agani, ishte shembull për ne

Prishtinë -Është shënuar sot 10-vjetori i vrasjes së udhëheqësit politik, profesorit Fehmi Aganit. Në një ceremoni përkujtimore të zhvilluar në Prishtinë, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu theksoi se “Profesor Agani, vetëm pak javë përpara se Kosova të dilte përfundimisht nga terri i robërisë, u ekzekutua barbarisht nga forcat serbe. Si shumë veprimtarë të tjerë të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, edhe Fehmi Agani shkoi nga kjo botë pa e pritur agun e lirisë. Porse, për të gjithë ne që e njohëm dhe patëm fatin të bashkëpunonim me të, mbetet satisfaksion fakti se Ai, me punën dhe me veprën e madhe që na la trashëgim, jeton dhe do të jetojë përherë në kujtesën tonë individuale e nacionale si njeriu që diti t’i shkrijë në një virtytet njerëzore, dijen intelektuale dhe dashurinë për atdheun e vet”.

Profesor Agani, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit njëzet, ishte njeriu më aktiv i lëvizjes sonë të përgjithshme për liri e pavarësi-vijoi presidenti i Kosovës, për të vijuar-“Ai ishte krahu i djathtë i Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili, duke e kujtuar shëmbëlltyrën e Profesor Aganit, theksonte: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij. Profesor Agani ishte Burrë i madh i Kosovës. Njeri me mendje dhe zemër të madhe, siç e njohim dhe siç e dimë të gjithë. Profesor Agani ishte dhe do të mbetet Heroi i Kosovës. Tërë jetën dhe veprën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë Kosovës".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›