E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani i dhuron FSK-së 204 mjete të ndryshme

Prishtinë -Në Ministrinë e FSK-së, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Sylejman Selimi priti Komandantin e Task Forcës Shumëkombëshe JUG, Gjeneral Brigade Harald Fuge, i cili ia dorëzoi atij çelësin simbolik të donacionit gjerman prej 204 automjeteve të llojeve të ndryshme, që tani janë përfundim të pranimit nga FSK-ja. Të dy gjeneralët kanë biseduar për mbështetjen e ushtrisë dhe shtetit gjerman në ngritjen dhe profesionalizimin e FSK-së, si dhe për fushat e bashkëpunimit në të ardhmen.

Komandanti gjerman shprehu gatishmërinë për ndihmë të mëtejme edhe në fushat tjera, si për trajnimin dhe edukimin e pjesëtarëve të FSK-së në nivele të ndryshme. Komandant Selimi e falënderoi komandantin gjerman dhe përmes tij popullin dhe shtetin e Gjermanisë për mbështetjen shumë të çmuar në procesin fillestar të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar këtë bashkëpunim në fushat me interes të përbashkët.

Të dy gjeneralët vlerësuan se ngritja e FSK-së është në të mirë dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të sigurisë së rajonit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për marrëdhënie me publikun pranë Ministrisë së FSK-së. rtk

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›