Sejdiu, Thaçi e Hyseni takohen me ambasadorët e shteteve të Quint-it

Prishtinë, 27 gusht - Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, janë takuar dje sërish me ambasadorët e shteteve të Quint-it të akredituar në Kosovë, me të cilët kanë qëndruar për disa orë rresht. Takimi është mbajtur larg syve të opinionit, në një restorant në Prishtinë, shkruan “Zëri” i cili ka kuptuar se organizator i këtij takimi ka qenë presidenti i vendit. Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtëme të Kosovës, Skender Hyseni, i cili nuk ka dashur të japë sqarime se për çfarë është diskutuar me përfaqësuesit e Kuintit. Ndërsa presidenti dhe kryeministri nga vendtakimi kanë shkuar drejt zyrave të tyre. Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri ka mohuar se takimi në fjalë ka ndërlidhje me mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.