E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet e para në Grykë të Rugovës

Pejë, 27 gusht- Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Pejë ka filluar së implementuari projektin “Peja qytet i gjelbër”. Investimet e para, në vlerë prej 15 mijë eurosh, janë destinuar për Grykën e Rugovës. Projekti i kësaj drejtorie, i hartuar nga udhëheqësja e sektorit të mjedisit, Meritë Kuraja, ka filluar kështu së realizuari 5 kilometra mbi Patrikanën e Pejës, përkatësisht të hyrja në tunelin e parë të Grykës së Rugovës. Firma e kontraktuar për realizimin e tij, “Valbona G’, tashmë ka pastruar hapësirën që përdorej nga shitësit ambulantë dhe ka filluar betonimin e pjesëve ku parashihet ngritja e kësaj oaze pushimi.

Të premten, projektuesja Kuraja ka treguar se ky projekt parasheh rigjenerimin e kësaj hapësire publike dhe promovimin e kësaj zone, në hyrje të Grykës së Rugovës, si vend turizmi.  “Në këtë hapësirë, që identifikon fillimin e bukurive natyrore në Rugovë, do të vendosen karrige për pushim, strehë për mbrojtje nga shiu, gjelbërim, si dhe do të bëhet rregullimi i kroit ekzistues”, ka thënë Kuraja. Ka treguar se ky projekti është mbështetur edhe nga Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor.

Nga ana tjetër, drejtori i Urbanizmit, Gazmend Muhaxheri, fillimin e implementimit të këtij projekti e ka quajtur “start” i vënies rregull institucional në pjesët me të bukura të Pejës. “Duke pasur parasysh se të gjitha planet e komunës sonë zhvillimin e mbështesin në turizmin që ofron Rugova është shumë normale që t’i kthehemi kësaj pjese edhe me investime konkrete”, ka thënë ai.
Pjesa mbi urën e njohur për arkitekturë të posaçme mbi Lumin e Bardhë, e cila tashmë ka filluar të marrë pamje të re, vite të tëra është shfrytëzuar nga shitës ambulantë, ndonëse Gryka e Rugovës që nga viti 1985 është shpallur monument natyror në sipërfaqe 4.301 ha. 

Një projekt i ngjashëm, i financuar nga disa komuna të Turqisë, është duke u imlementuar edhe në një pjesë të parkut “Karragaç”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›