Sejdiu: Zgjedhjet e përgjithshme në 2011-ën

Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë do të mbahen në vitin 2011-të, duke vijuar mandatin e institucioneve, mandat që e kanë nisur në vitin 2007-të. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë një takimi me përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith. "Sejdiu e njoftoi Feith me vendimin e tij që institucionet qendrore të Kosovës, të zgjedhura në mënyrë demokratike nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007-të , do të vazhdojnë mandatin e plotë sipas Nenit 161 të Kushtetutës së Republikës dhe akteve të tjera juridike në fuqi"-thuhet në një deklaratë nga presidenca e Kosovës. Nga ana e tij, Piter Feith e siguroi Presidentin Sejdiu se vendimi i tij është në përputhshmëri të plotë me Dokumentin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari. Lidhur me vendimin për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, presidenti në bazë të kompetencave të veta, do të bëjë konsultimet dhe do të marrë vendimin në kohën e paraparë me Kushtetutë dhe me ligjet në fuqi.