Zgjedhet në Kosovë, në 2011-ën

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka vendosur që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen atëherë kur do të përfundojë edhe mandati i rregullt i deputetëve, pra në vitin 2011. Opozita kosovare ka reaguar ashpër, por vendimi është mbështetur nga Zyra e Përfaqëisë Civile Ndërkombëtare në vend. Vendimi i presidentit Fatmir Sejdiu duket se ka mbyllur debatin e subjekteve politike mbi mbajtjen ose jo të zgjedhjeve parlamentare këtë vit. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, njoftoi se vendimi është marrë pas një takimi që Sejdiu ka pasur me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith. "Presidenti Sejdiu e ka njoftuar zotin Feith me vendimin e tij që institucionet qendrore të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, të vazhdojnë mandatin e plotë sipas Nenit 161 të Kushtetutës së Republikës dhe akteve të tjera juridike në fuqi", u shpreh Beqiri. Neni 161 mbi tranzicionin e institucioneve të Ksosvës parashikon që të gjitha kompetencat, përgjegjësitë dhe detyrimet e institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, t'u kalojnë menjëherë institucioneve aktuale, në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Kohëzgjatja e mandatit të secilit institucion para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, do të mbetet e paprekur dhe e pandryshuar deri në skadimin e rregullt, ose deri në zgjedhjet e reja, thuhet në këtë nen. Por, opozita konsideron se në të vërtetë është shkelur edhe Kushtetuta, edhe pakoja e Ahtisaarit, meqë kjo e fundit parashikon që zgjedhjet parlamentare të mbahen 9 muaj pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës.