AAK, padit Sejdiun për datën e zgjedhjeve

Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e tronditur nga vendimi i Presidentit Fatmir Sejdiu për të mos pasur zgjedhje të përgjithshme në vjeshtën e sivjetme, ka marrë vendim të padisë kreun e shtetit në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës. "Qëndrimin e Presidentit Sejdiu për një vazhdim të mandatit të intitucioneve të tashnime, ne nuk e pranojmë. Nuk e pranojmë as miratimin që vjen nga z. Piter Feith dhe mendojmë se është i gabuar. Ne do të ndërmarrim disa veprime të nevojshme që të kthehet mbrapsht vendimi i sotëm. Do të padisim Sejdiun për shkelje të kushtetutës në Gjykatën Kushtetuese të vendit, sapo të formohet ajo. Ne inicimin do ta bëjmë menjëherë. Do të bëjmë ankesë në Grupin Drejtues Ndërkombëtar për miratimin që ka dhënë Piter Feith në mënyrë të gabuar për qëndrimin e Presidentit Fatmir Sejdiu", deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të partisë së tij. Ndërsa numri dy i AAK-së Blerim Shala tha se vendimi i Sejdiut shënonte një ditë të zezë për Kosovën, që sipas tij, dëshmon se demokracia në vend nuk po funksionon. "Dikush po i frikësohet vullnetit të qytetarëve të Kosovës", tha nënkryetari i AAK-së, Shala. Ish-kryeministri Haradinaj është shprehur se ky vendim i drejtuesve të shtetit, me një degradim të plotë të qeverisjes, me korrupsionin që po e mbyt iniciativën e lirë dhe me një degradim shumë të madh të gjendjes ekonomike, po e çon Kosovën drejt shkatërrimit.