E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu dekoron Mesiçin me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”

Sejdiu theksoi se presidenti Mesiç ka qenë gjithmonë përkrahës i synimeve legjitime të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Si presidenti i fundit i ish-Federatës Jugosllave, në kohën kur Serbia e Millosheviçit kishte institucionalizuar dhunën brutale kundër shqiptarëve në Kosovë, Stipe Mesiç, si rrallëkush në atë kohë, mbrojti pa asnjë hezitim të drejtën për vetëqeverisje dhe pavarësi të Kosovës.     Republika e Kroacisë e ka njohur shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, ndërsa diplomacia kroate, dhe veçanërisht presidenti Mesiç ka dhënë ndihmë të rëndësishme edhe në procesin e sigurimit të njohjes së pavarësisë së vendit tonë nga sa më shumë shtete të botës demokratike.           Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Kroacia mbrojti fuqishëm legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.     ''Presidenti Mesiç ka qenë dhe mbetet një mik i dëshmuar i Kosovës. I tillë do të nderohet gjithmonë nga populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës'', deklaroi presidenti Fatmir Sejdiu.     Duke falënderuar për dekoratën e dhënë nga Sejdiu, presidenti Mesiç tha se ka marrë shumë dekorata në këto 10 vjet si kryetar i shtetit i Kroacisë, por dekorata e dhënë nga presidenti i Kosovës, si dekorata më e lartë e shtetit më të ri në botë, do të jetë për të e dashur dhe e veçantë.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›