E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Shkodër: Përmbytjet janë katërfishuar

Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në lagjen Bahçallëk të Shkodrës për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet. Kryeministri u takua me banorë dhe u bëri sërish thirrje për t’u evakuuar. Berisha theksoi se qeveria po e ndjek në mënyrën më intensive situatën, ka një menaxhim eficent dhe gjithçka është nën kontroll, por shkarkimi i ujërave është i domosdoshëm. “Fierza, - tha Kryeministri - ka mbi 48 orë që është nga 1100 në 1800 metër kub në sekondë. Kështu që jemi të detyruar të shkarkojmë, por, me gjithë shkarkimet që bëjmë, ne ruajmë digat. Ne do të bëjmë gjithçka që të mos kemi dëmtime dhe do t’i kompensojmë të gjitha dëmet.”  Kryeministri, duke theksuar faktin se ujërat vazhdojnë të jenë të bollshme dhe se shkarkimet e tyre janë absolutisht të imponuara nga prurjet, edhe një herë shprehu garancinë se në diga, portat dhe gjithçka tjetër janë në siguri të plotë. “Ajo çka na mbetet neve dhe është më e rëndësishmja është të evakuojmë popullatën, të mos ketë asnjë humbje jete, por as edhe sëmundje, sepse mund ta imagjinoni të kalosh natën në janar, i rrethuar nga uji në të gjitha anët, është jashtëzakonisht kërcënuese për shëndetin e fëmijëve, të të moshuarve  dhe shëndetin e të gjithë të tjerëve. Ndaj të bëjmë çdo përpjekje për evakuim. Sot ka një avancim të ujërave në Bushat e në Trush. Prandaj u bëj thirrje të gjithë banorëve të evakuohen dhe i garantoj ata se do të kenë kujdes të plotë, do kenë kompensimin e plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje. Mirëpo duhet të marrin vendimin e drejtë, të largohen nga uji,” apeloi Kryeministri.                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›