E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu dhe Thaçi mbështjetje Policisë së Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, tha se kjo vizitë e bërë sot në Drejtorinë e Policisë së Kosovës, kishte për qëllim rikonfirmimin e mbështetjes së vazhdueshme për Policinë e Kosovës dhe për angazhimet e tyre në drejtim të profesionalizimit konform standardeve të kohës.
 
“Ishim bashkë me Kryeministrin sot për të vizituar udhëheqësin e Policisë së Kosovës, Gjeneral Ahmetin me gjithë kolegët. Në radhë të parë për të theksuar mbështetjen tonë të përgjithshme si institucione të vendit për punën që bëjnë dhe punën që duhet të bëjnë plus, për të bërë përpjekjet më të mira të mundshme në ecjen e profesionalizimit të Policisë së Kosovës, të jetë konform standardeve më bashkëkohëse edhe pse them ka lëvdata në kuptimin e ngritjes së cilësisë së saj”tha Presidenti Sejdiu.
 
Ai tha se sa i përket vjedhjes që ka ndodhur në lokalet e Policisë së Kosovës, një barrë e tillë objektivisht bie mbi të gjitha institucionet e vendit, por në radhë të parë mbi Policinë e Kosovës. Njëkohësisht, duke shprehur kështu optimizmin se në bazë të punës dhe angazhimeve që ka kjo Polici, do të arrijë ti evitojë edhe rastet e tilla.

 “Them, po ashtu, edhe angazhimin tonë për të analizuar, edhe pjesën e asaj që nganjëherë objektivisht nuk ka qenë pjesë e mirë. Në një ndodhi, që ju e dini që ka qenë në lokalet e Policisë, rreth asaj vjedhjes që ka ndodhur dhe që objektivisht bie një barrë mbi gjithë Institucionet e vendit, në radhë të parë mbi Policinë, por që të evitohet me punë, po besoj se do t’ia dalin dhe po ashtu për të dhënë mesazhin tonë se policia është në shërbim të vendit” shtoi Sejdiu.
 
Presidenti Sejdiu tha se Policia e Kosovës është polici që nuk mund të identifikohet me rrjedhat politike dhe e karakterit multietnik dhe në partneritet të gjithmonshëm me instancat e tjera rajonale e ndërkombëtare, të cilat kontribuojnë për ruajtjen e paqes dhe parandalimin e krimit të organizuar.
 
“Policia e Kosovës është polici që nuk mund të identifikohet me rrjedha politike dhe me anime politike. Është një polici që do të bashkëpunojë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe me partnerët e tjerë që i kemi mbështetës të vendit tonë, në këtë rast edhe me EULEX-in, por në të njëjtën kohë edhe me bashkëpunimet e fushës ndërkombëtare, me vendet fqinje në parandalimin e krimit të organizuar dhe të formave të tjera që kanë për qëllim rrënimin e stabilitetit të vendit në formën e kontrabandës dhe të formave të tjera që zakonisht janë të dënueshme”, tha Presidenti Sejdiu.
 
Gjatë këtij takimi me drejtuesit e Policisë së Kosovës, është kërkuar zbatimi i ligjit për të gjithë njësoj ashtu sikur do të kërkohet edhe nga institucionet e tjera, si nga prokuroria dhe nga gjyqësori. “Ajo që ne kërkuam është, zbatimi i ligjit për të gjithë. Atë që do ta bisedojmë edhe me sistemet e tjera, me njerëzit e pushtetit gjyqësor, një bashkëpunim i mirë me prokurorinë dhe me gjyqësorin, në mënyrë që të shtohet efiçenca e reagimeve të shtetit. Jo, asnjëherë për të krijuar shtet që dikush mund ta mendojë të përmasave të policisë politike apo shtet policor, përkundrazi, të një policie e cila do të jetë në shërbim të vendit në parimet më të mira të demokracisë”, theksoi Presidenti Sejdiu.
 
 
Edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kjo vizitë është për të rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës. “Vizita e Presidentit Sejdiu dhe imja ishte vizitë në mbështetje të angazhimeve profesionale të Policisë së Kosovës, të një policie që të gjithë jemi krenuar për punën e tyre të lartë profesionale, dhe si shembull që kanë qenë në rajon” tha Kryeministri Thaçi.
 
Ndërsa, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gjeneral Sheremet Ahmeti, duke falënderuar institucionet e vendit dhe qytetarët  për përkrahjen e vazhdueshme, siguroi që Policia e Kosovës do të jetë gjithmonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.

“Ishte një vizitë e mirëpritur absolute dhe e nevojshme. Ne e kemi mbështetjen dhe përkrahjen nga institucionet e vendit, Presidenti dhe Kryeministri në misionin tonë. Të gjitha ato sugjerime që kemi pranuar, janë brengë edhe jona, angazhimi ynë është në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, për t’ju ofruar siguri, ne po bëjmë punë të mirë në përgjithësi më mbështetjen dhe përkrahjen e qytetarëve të vendit, institucioneve të vendit dhe ato ndërkombëtare” tha Gjeneral Shermet Ahmeti.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›