E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim të fjalëve të sekuestruara

Fjala e parë ishte vezullimi i një shkrepëtime nga buzët e mendjes së njeriut të parë. Sapo mbaroi së artikuluari një kompleksitet të shkurtër fjalësh, befas, kur imazhi i një diçkaje i doli e pastër me jetë: krejt sikur ta kish para syve. I mahnitur, provoi ta përsëriste disa herë, po të njëjtën seri tingëllimash dhe ja ku po e njëjta gjë po i ndodhte- teksa imazhi po i afrohej. Një gëzim i madhe e kaploi, edhe kur fërkoi një ashkël druri ashtu mbi një trung dhe doli shkëndija e parë e zjarrit nga trupi i drurit. Më pas filloi të imitonte çfarë shqisat perceptonin rretheqark. Zgavra e gojës gërshetonte dhe plaste si në një atentat kamikaz të qiellzave me disa tinguj të ardhur nga stomaku i kontraktuar dhe nënkontraktuar nga dëshira të ishte si të tjerët në natyrë. T’i parakalonte në bukuri, në zotësi e shpejtësi. Gjuha ishte ekonomike qysh në fillim. Bashkë me posedimin e fjalës, njeriu ishte zoti i natyrës dhe i botës shpirtërore. Ishte kur Novalis tha se “fjala është një vepër magjie: ti thërret një shpirt e ajo të vjen” sikur të ishte e vërtetë. Për shqiptarët, fjala është shumë e rëndësishme, një institucion, që mbajti gjallë identitetin e një populli. Me të, ne japim besën a fjalë e thënë, të cilën as armiku nuk mund ta shkelë. Fjala është magjike, ajo të vesh me atë mrekullinë që syri shpeshherë nuk e sheh. Nuk mund ta shohë sepse do të humbiste një fjalë që quhet dëshirë, e cila është e dashuruar me fantazinë. Mbase një linguist do të thoshte se fjala është madhështore, një shfaqje fisnike që na dallon nga kafshët. Mirëpo ai do të kishte të drejtë veç në 99 përqind, sepse 1 përqindëshin e ka natyra e pashtershme, ku në të bëjnë pjesë edhe kafshët, të cilat nuk flasin - me aq sa dimë - por komunikojnë... Kjo është pak, por e qartë. Është në kuptimin e përgjithshëm një fakultet karakteristik dhe ekskluziv i njeriut që i përthyen simbolet fonetike sipas kuptimit të vetë ndërgjegjes.
Pra dua të them se edhe maxhoranca nuk ka gjithmonë të drejtë, për vetë faktin e pakundërshtueshëm se shumë njerëz njëherësh mund të gabojnë, siç kanë gabuar me totalitarizma të ndryshëm, përpos një njeri i vetëm, ndoshta edhe vetmitar, gabon më shumë, por kur kërkohet të reflektojë mbi një çështje është më i aftë dhe i qartë se shumë të tjerë të marrë së bashku. Këtu hyjmë në atë që bota deri më tani e quajtur si ekselencë  e njerëzve që i shpërthejnë kufijtë e realitetit që i rrethon, marrin fjalët dhe i lëshojnë në livadhet e mendjes, e më pas në darkë i kalibrojnë në ekuacionin e jetës. Por siç thoshte Talleyrand: “fjala u është dhënë njerëzve për të fshehur mendimet e tyre”. Ne kemi një shtëpi të fjalëve, atëherë duhet ta respektojmë më shumë vetën tonë.
Për ta shpjeguar më tej, them se është i njëjti proces psikik, për të cilin njeriu “primitiv” vinte një maskë që kishte pamjen e një ujku a leopardi, dhe teksa e vishte shpesh e më shpesh lëkurën e tyre, përfundonte të njësohej ipso facto me natyrën e kafshës.
Nuk ka vetëm fushë me lule, ka edhe fushë të shkelur pa lule. E keqja ndodhet në strukturën e fjalës. Fjalët që vrasin pa hir shpresa, për shembull, mbahen mend. Ka fjalë të tjera që bojkotojnë qenien njerëzore. Ajo është një shumëzim i copave të shpirtin tonë që deformohet, që ndryshon sipas kërkesave të çdo regjimi kapitalizmi, me derivate neo-liberizmi a monstruoze qofshin, siç kishte ndryshuar komunizmi disa fjalë duke ia sekuestruar realitetit dhe ngjyrosur me ideologji si “vullnetarë”, “klasë”, “realizëm’ , “punë” “shoku-shoqe” “fisnikë”, “aristokratë”, “kapitalizëm” “revizionizëm”  “dashuri”, “liberal”, etj. Pra “fjalët” që kishin fuqinë për t’u futur frikën Pushtetit më gjakatar të shekullit njëzet. Në Shqipëri kundra fjalës ka pasur shumë reprezalje, atmosfera ishte gjithmonë negative, që pasqyronte Partinë-shtet mbi popull.  Ka shumë mundësi që jo
vetëm komunizmi por edhe totalitarizmat e tjerë të kishin fobinë e fjalëve që kishim imazhe më të bukura se ato që ato proletarizonin me buton mendjet e pa kultivuara. Nga dhuna e fjalëve ka kaluar në dhunën fizike. Nga komunizmi  ku priste rrënjë poetësh, shkrimtarësh, shkencëtarësh, mendimtarësh kemi kaluar deri më sot, ku fjalët janë të bollshme me internet e media, ku tipa si Artan Kristo mund të venë një maskë e të jenë  Muhamed Abdullai. Ka pulsione që flasim vetë, përdhunimet e ndryshme që i bëhet demokracisë e fjalë janë më të rënda se akte fizike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›