Edi Rama, blerësi dhe humbësi i lirisë së shtypit në Shqipëri

Edvini instaloi i pari sistemin e pagesës dhe të blerjes së hapësirave informative në televizione e gazeta, përmes dhënies së lejeve të ndërtimit si bakshish. Pas kësaj marrëdhënieje, erdhi epoka e shpifjeve zyrtare, e cila kulmon sot me një situata ku reporteret e gazetave të tij komunikojnë me vip-a të krimit në dhomat e paraburgimit, për t’u modifikuar dëshmitë e për të prodhuar në gjyqe verdikte të mbështetura në shpifje.
Rama ka rekordin se s’pranon pyetje gjatë konferencave të shtypit dhe as intervista me gazetarë opozitarë, ndërkohë që vlerësohet se kontrollon shumicën e medias së shkruar dhe asaj elektronike në vend. Me statistikat aktuale, Edvini, si lider i opozitës dhe kryetar i bashkisë së Tiranës, cilësohet si dëmtuesi kryesor i lirisë së shtypit në vend
Redaksionale
Indeksi i kësaj jave, i Reporterëve pa Kufi, ka tërhequr vëmendjen edhe njëherë tek pengesa e madhe dhe e vërtetë që gjendet para mediave shqiptare dhe që duket se s’do të hiqet, megjithë humbjen masive të konsensuseve nga ana e shqiptarëve. Është Edi Rama, shembulli i qartë i politikanit, i cili njeh vetëm një shembull të ekzistencës së mediave, atë të vendosjes së saj në shërbim të interesave të tij ngushtësisht të ngushta. Edi Rama është politikani i parë, i cili në klimën pluraliste të vendosjes së fjalës së lirë, nën shembuj masonerie apo të modele të tjera jo të favorshme, themeloi në Shqipëri sistemin e blerjes së hapësirës mediatike për interesa politike. Sistemi duket se nuk kishte pasur shumë sukses në vende të tjera të Bashkimit Evropian, por tek ne, duke kombinuar natyrën totalitare, trashëgiminë e tij familjare jopozitive, por edhe pushtetin e papritur si ministër Kulture e më pas si kryetar i bashkisë së kryeqytetit sollën shndërrimin e Edvin Kristaq Ramës në rrezikun kryesor të shtypit shqiptar. Vendosja e sistemit të pagesës ishte vendimi retrograd që u zbatua në sistemin e pluralizmit. Edvini arriti i pari të privatizonte “de facto” shumicën e mediave kryesore në vend, dhe me anë të kësaj “hipoteke” ai edhe iu imponua Partisë Socialiste, duke e uzurpuar atë në fatkeqësinë e parë zyrtare që i ndodhi; humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 2005-s.
Pas këtij momenti, për Shqipërinë indekset nuk regjistruan asnjë kurbë pozitive, pasi njëri nga protagonistët kryesorë të politikës shqiptare kishte caktuar si pjesë të axhendës së tij politike vendosjen e medias në shërbimin personal, ekskluziv dhe pa asnjë lloj skrupulli. Pas këtij momenti, duke qenë se opozita ka privilegjin e njëfarë laksizmi në vendimet e veta, Edvini kaloi në zbatimin e stadit të tij të dytë të robërimit të medias, zyrtarizimit të shpifjes si një mjet të të bërit propagandë. Është e kotë të përmendim të pavërtetat e pafundme që u shqiptuan dhe u zyrtarizuan në mediat e shkruara e elektronike që ishin çertifikuar më herët si në kontrollin 100 përqind të Edvinit, por kulmi mbërriti teksa ky front u vendos në shërbim të segmenteve të krimit, të cilat ndjeheshin të rrezikuara nga aksioni i Policisë së Shtetit. Inkurajimi, bile në disa raste edhe idealizimi i figurës së kriminelit ishte një shembull që s’ishte shumë i rrallë për pasqyrat tona të shtypit, por me kohë, keqpërdorimi për interesa të shtypit e çoi Edvinin në shndërrimin e kësaj marrëdhënieje në një skemë prej së cilës mund të nxirreshin përfitime politike, edhe pa pasur zhvillime të mirëfillta kronike. Ky është stadi aktual, ku gazetaret e kronikës, të paguara nga Edvini e në media, publikisht të deklaruara si mbështetëse të opozitës, lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë e preferenciale me krerët e krimit në Shqipëri, duke u sugjeruar atyre edhe linjat e mbrojtjes që do të mbahen në seancat e nesërme të gjyqeve, duke kryer njëkohësishtl; shërbimet e kupolës politike, heqjen e sikletit nga Prokuroria e Shtetit, por edhe realizimin e idileve të vogla, aq të pranishme në botën e krimit.
Me arritjen e këtij stadi, Edvini vendosi njëherë e mirë edhe shkëputjen e marrëdhënieve me median e pavarur. Asnjë konferencë shtypi nuk kishte privilegjin e kryerjes së pyetjeve simultane, asnjë emision televiziv ballafaques nuk u realizua mes tij dhe liderit të mazhorancës dhe ç’është më e rënda, asnjë ballafaqim i mirëfilltë alternativazh nuk zu vend në emisionet e debatit, mes përfaqësuesve të pozitës dhe të opozitës.
Këto rekorde të zeza patën Edi Ramën dhe rrjedhimisht opozitën si lokomotivë, prandaj edhe me nxjerrjen e indeksit të ri të “Reporters sans frontieres”, opinioni publik ka rastin të identifikojë sërish Edi Ramën si armikun e vërtetë të shtypit në Shqipëri, si faktorin i cili duhet nulifikuar, përderisa ai refuzon sistemin dhe njeh vetëm formulën e “state-capture”-it, e cila në marrëdhënien konkrete merr rolin e fitimit të hapësirës në median e shkruar apo atë vizive në këmbim të akordimit të lejeve të ndërtimit në bashkinë e Tiranës.