Sejdiu e Thaçi ngushëllojnë krerët e Finlandës
“Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shuarjen tragjike të jetës së pesë qytetarëve të vendit tuaj, pas një akti të rëndë kriminal që kreu sot në qytetin Espoo një qytetar me prejardhje nga Kosova”, thuhet në ngushëllimin e presidentit Sejdiu.Lajmi për këtë tragjedi është pritur me pikëllim kudo në vendin tim, ndaj – vijon më tej telegrami i ngushëllimi – e nderuara presidente, ju lus që ndjenjën tonë të dhembjes së thellë dhe të solidaritetit t’ua përcillni edhe familjeve të viktimave dhe gjithë popullit finlandez.“Shpirtërisht dhe në lutje jemi me ju në këto çaste zie! Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!”, përfundon telegrami.Edhe Kryeministri Hashim Thaçi, ka ngushëlluar homologun e tij, kryeministrin e Finlandës, Matti Vanhanen, qeverinë dhe qytetarët e Finlandës, me rastin e krimit të rëndë, që ndodhi në periferi të Helsinkit.Në telegramin e ngushëllimit thuhet: “Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për krimin e rëndë, të shkaktuar nga një qytetar me prejardhje nga Kosova, i cili mori jetën e 5 qytetarëve të pafajshëm të vendit tuaj”.“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për ju, qeverinë tuaj, popullin finlandez dhe në veçanti për familjet e viktimave. Në këto momente të vështira, populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës, qëndrojnë përkrah jush për të ndarë këtë dhembje të madhe”. /telegrafi/