Sejdiu: ëndrra e Rugovës po bëhet realitet
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi dje se rruga që lidh Durrësin me Prishtinën ishte një nga ëndrrat që ka pasur udhëheqësi i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Sejdiu, i cili bashkë me homologun e tij shqiptar, Bamir Topi, vizitoi punimet e rrugës Rrëshen-Kalimash, kujtoi figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ka qenë ideator i ndërtimit të kësaj vepre që në fillimet e viteve ‘90. "Kjo rrugë po bëhet realitet me përkushtimin e zellshëm të qeverisë shqiptare dhe po kështu do të jetë edhe përkushtimi i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, që punimet e rrugës Durrës-Prishtinë të realizohen në një kohë sa më optimale dhe jashtëzakonisht të shkurtër", tha Sejdiu. Për ne, vijoi ai, është shumë e rëndësishme që njerëzit do të vijnë nga Prishtina dhe qytete të tjera të Kosovës dhe të kenë Durrësin, Tiranën, Shkodrën e qytete të tjera shumë afër. "Ajo do të ofrojë edhe shansin e madh për banorët e zonave që të gjejnë perspektivën e zhvillimit dhe ekzistencës në këtë mjedis, të cilit, krahas bukurisë së natyrës, i shtohet edhe një investim i veçantë nga dora e njeriut", theksoi Presidenti i Kosovës. Sejdiu, u shpreh se "rruga Durrës-Morin, që do të vijojë deri në Prishtinë, lidh jo vetëm Kosovën me Shqipërinë, por shënon edhe ecjen e dy vendeve drejt Evropës". Në kuadër të vizitës së parë zyrtare që zhvilloi në Shqipëri si President i parë i Kosovës së pavarur, Sejdiu inspektoi dje paradite, së bashku me Presidentin Bamir Topi, punimet në aksin Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Morin. Duke nënvizuar se rruga mbetet një arterie e rëndësishme, që hap perspektivat e zhvillimit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve, Presidenti i Kosovës tha se "duhet të kemi një veprim të koordinuar dhe energji të përbashkëta për ta përfunduar atë". Ndërkaq, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, duke shprehur kënaqësinë e vizitës në këtë aks të rëndësishëm të autostradës Durrës-Morin, që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, theksoi mes të tjerave, se "padyshim, është pjesë e asaj që e kemi konsideruar ëndërr shqiptare, të cilën e shikojmë çdo ditë që po realizohet dhe shumë shpejt do të kemi një rrugë të përfunduar, një rrugë që do të lidhë jo vetëm Shqipërinë me Kosovën, por që do të japë mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi e komunikimi, në radhë të parë komunikimi njerëzor, komunikimi në botën e biznesit". Ndërsa Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e vlerësoi vizitën si "një ditë me emocione të veçanta për mua dhe delegacionin e Republikës së Kosovës, që të jemi këtu dhe të shohim këtë ecje e këtë qasje kaq aktive, që kjo rrugë të përfundojë sa më parë". Duke vlerësuar idenë për ndërtimin e autostradës Durrës-Morin edhe në fazat më të hershme, si një "ëndërr e gjeneratave të shumta", Presidenti Sejdiu u shpreh se ajo "vjen dhe bëhet realitet në këtë kohë me një përkushtim tepër të përgjegjshëm të qeverisë shqiptare dhe besoj se po në të njëjtën kohë, një përkushtim që do ta ketë edhe qeveria e Kosovës, që rruga Durrës-Prishtinë do të jetë e kryer për një kohë optimale dhe jashtëzakonisht të shkurtër".