Berat, vjedh klienten brenda bankës, kapet në çast
Hyn qetësisht brenda ambienteve të një banke dhe vjedh klienten që kryente veprimet në sportel. Vjedhja e guximshme është kryer në ambientet e degës së "Raiffeisen Bank" në qytetit e Beratit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, në qendër të qytetit, ku ndodhet dhe banka. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se 32-vjeçari Agim Kamberi është parë të futet qetësisht në ambientet e bankës, rreth orës 13:30. Ai ka ndaluar në sportelin e parë të bankës, por nuk ka rënë në sy të punonjëse apo klientëve të shumtë. I riu, banor i lagjes "Jani Vruho" në këtë qytet, ka qëndruar disa çaste në sportelin ku kryen veprimet, duke mbajtur radhën. Por, në çastin kur një grua ka qenë duke kryer veprimet ka ndërhyrë dhe i ka marrë asaj shumën e lekëve që mbante në duar. Thirrjet për ndihmë të shtetases S.Pecani, gruas që ra pre e vjedhjes brenda bankës, kanë bërë që të reagojnë të parët punonjësit. Menjëherë mësohet të ketë ndërhyrë punonjësi i sigurisë pranë degës së "Raiffeisen Bank", i cili ka ndaluar të riun pa e lejuar të kalojë derën kryesore të bankës. Më pas është njoftuar Komisariati i qytetit të Beratit, dhe uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Punonjësit e policisë arrestuan në flagrancë 32-vjeçarin.