Arrestohet për vendosje eksplozivi ish-futbollisti
Një 28-vjeçar, ish-futbollist i SK Elbasanit ka rënë nën prangat e policisë, pasi ka bërë atentat me eksploziv. Ngjarja është regjistruar në orët e vona të natës së të hënës në lagjen "Luigj Gurakuqi", ku të paktën dy automjete janë dëmtuar pjesërisht nga shpërthimi i një sasie lende plasëse. Sipas burimeve zyrtare të policisë, "protagonist" i këtij shpërthimi ka qenë 28-vjeçari Gjergji Gjika, që mësohet se ka qenë ish-futbollist me Elbasanin. Ai, sipas policisë, ka vendosur një sasi lënde eksplozive në mjetin tip "Mercedes Benz", me targa EL 5048 B në pronësi të 53-vjeçarit me iniciale G.M. I njëjti burim bën të ditur se mjeti në fjalë ishte parkuar përballë një zyre të INSIG-ut, ku është dëmtuar pjesërisht edhe një mjet i tipit "Volzvagen", me targa EL 4892 A, mjet që ishte në përdorim të Gjergji Gjikës. Policia ka gjetur në mjetin e Gjikës dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy thika, që dyshohen se kanë mbetje të lëndës eksplozive dhe në ndenjësen e pasagjerit janë gjetur disa copëza si ato të mbështjelljes së fitilit zjarrpërcjellës, gjysmë të djegura. Organet e specializuara po punojnë për gjetjen e shkaqeve të vënies së eksplozivit dhe materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit, me akuzën për "shkatërrim të pronës me eksploziv".