Abuzime me ujësjellësin, dy në pranga një nën hetim
Dy persona janë arrestuar dhe një i tretë po hetohet në gjendje të lirë nga ana e policisë së Elbasanit, në kuadër të një operacioni të koduar "Sopoti". Sipas burimeve zyrtare të policisë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme janë ndaluar Tomor Hidri dhe Hasan Terziu, nën akuzën e shpërdorimit të fondeve financiare. Akuza në fjalë ka lidhje me ujësjellësin e Gurëshpatës në Komunën e Polisit, të Rrethit të Librazhdit, hetimet për të cilin kanë nxjerrë shpërdorime të konsiderueshme fondesh në favor të të tretëve. Nën akuzën e "shpërdorimit të fondeve", Prokuroria e Elbasanit ka marrë masën e arrestit "burg pa afat" për ish-kryetarin e Komunës së Polisit, Hasan Terziu, si dhe për Tomor Hidrin, administrator i firmës "Reto" sh.p.k., firmë kjo që ka kryer punimet e ujësjellësit të fshatit Gurëshpatë, rreth tre vjet më parë. Në të njëjtën kohë është penalizuar edhe personi që ka qenë mbikëqyrës i punimeve të këtij ujësjellësi në kohën kur është ndërtuar. Hetimet e kryera nga sektori i krimit ekonomik, sipas burimit zyrtar, kanë nxjerrë shpërdorime dhe vjedhje fondesh, për të cilat akuzohen Hidri dhe Terziu, por që ende nuk janë vërtetuar nga gjykata e rrethit të Elbasanit. Sipas të njëjtit burim, mësohet se për mbikëqyrësin e punimeve është caktuar masa e sigurisë "detyrim me paraqitje në policinë gjyqësore".