Sejdiu në SHBA: Serbia dështoi me tentativat e saj

San Françisko, 13 janar, NOA Presidenti i
Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu pas një ligjërate që mbajti dje para
anëtarëve të Uorld Affairs Council në San Francisko të SHBA, ka deklaruar se Kosova
nuk mund të harrojë atë çka ka ndodhur në të kaluarën dhe tragjeditë e
tmerrshme që ka përjetuar nën pushtetin e dhunshëm të Serbisë. Megjithatë, Kosova
ka vendosur ta mbyllë atë kapitull dhe të kthehet nga e ardhmja për të mirën e
gjeneratave të ardhshme, tha ai lidhur me një fakt të tillë.
Sipas Sejdiut, gjatë dy viteve të funksionimit
të saj si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka shënuar suksese të
jashtëzakonshme.
Fillimisht, kanë dalë bllof të gjithë ata që
thoshin se pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë rajonin. Përkundrazi, ajo i ka
sjellë paqe dhe stabilitet rajonit. Serbia investon fuqishëm që atë pjesë të
mbajë sa më larg normalitetit, sepse nëpërmjet saj synon ta destabilizojë tërë
Kosovën. Kuptohet, kjo bëhet me qëllimin që pastaj të thuhet, ja, Kosova nuk
është në gjendje të funksionojë si shtet demokratik. Por, të jeni të bindur,
edhe këto destruksionet të Serbisë do të përfundojnë pa sukses, sepse populli
dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar për ndërtimin e
një të ardhmeje paqësore, stabile e prosperuese për të gjithë, tha Sejdiu më
pas në fjalën e tij.
Herët a vonë, sipas presidentit Sejdiu, Serbia
do të pajtohet me faktin se Kosovë është shtet më vete, sovran dhe i pavarur,
dhe do të heqë dorë nga veprimet që e minojnë ardhmërinë e të gjithë popujve të
rajonit. Realiteti i Kosovës së pavarur nuk mund të ndryshojë dhe ora nuk mund
të kthehet prapa, tha ai.
n.e/NOA