Sejdiu në Turqi: Ju jeni pjesë e historisë sonë

Ankara, 2 shkurt, NOA Vizita dyditore e
presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu në Turqi ka nisur me vajtjen e tij në muzeun
Anitkabir, ku ka vënë kurora lulesh duke nderuar kështu figurën e Ataturkut. Më
tej, siç bëhet me dijeni nga mediat kosovare dhe ato turke, Sejdiu është pritur
në mënyrë mjaft ceremoniale nga presidenti turk Abdullah Gyl. Ndërsa shtohet,
se në takimin e tyre të përbashkët është diskutuar për thellimin e mëtejshëm të
marrëdhënieve mes dy vendeve respektive.
Nga ana e tij, presidenti Gul i ka komunikuar
homologut të tij Sejdiu se i gëzohet çdo ditë progresit të arritur në Kosovë.
Popujt
e dy vendeve tona janë në solidaritet të plotë me njëri-tjetrin. Ne e
mbështesim Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare në të cilat marrim pjesë
dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përherë, duke lobuar kudo për njohjen e
pavarësisë së Republikës së Kosovës nga sa më shumë vende, tha presidenti Gyl.
Më tej, ai ka shtuar se ashti siç ka qenë udhërrëfyese
për të gjitha vendet e botës islamike, Turqia do të vazhdojë të kërkojmë nga
vendet e Konferencës Islamike që të ndjekin rrugën e saj për njohjen e Kosovës
shtet.
Ndërsa presidenti Sejdiu ka vlerësuar se
Turqia për këtë ndihmë konkrete që ka dhënë ndaj shtetit më të ri të Evropës, njohet
me të drejtë prej tij si pjesë e historisë së Kosovës në rrugën tonë drejt
lirisë dhe pavarësisë.
Mbështetja e Turqisë për Kosovën ka qenë dhe
është substanciale. Na jeni gjetur pranë në orët më të liga të historisë sonë
dhe po na ndihmoni edhe sot, si në procesin e njohjeve dhe të integrimit, ashtu
edhe në atë të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, ndaj ne jemi
thellësisht të përkushtuar që marrëdhëniet tona të intensifikohen edhe më shumë
për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve, tha Sejdiu para homologut të tij
turk.
n.e/NOA