E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu në Zvicër: Berna bëri hapin e parë për njohjen

Bernë (start)-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po zhvillon një vizitë në Zvicër, deklaroi se marrëdhëniet me këtë vend janë të shkëlqyera, ndërsa ka vlerësuar hapat e parë të shtetit zviceran për njohjen e së drejtës së Kosovës për të qenë e pa varur. Me këtë rast, Sejdiu zbuloi edhe një pllakë falënderimi në shenjë mirënjohjeje popullit dhe shtetit zviceran për ndihmën dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në këtë manifestim ishte edhe ministrja e jashtme e Zvicrës, Mishëlin Kalmi Rej, kryetari i qytetit të Cyrihut, Elmar Ledergerber, etj.
Sejdiu theksoi nevojën e zhvillimit të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe synimin e institucioneve të Kosovës që të funksionojnë duke pasur si model institucionet e Zvicrës.

Presidenti uroi që "miqësia në mes dy popujve dhe shteteve të ketë forcën dhe qëndrueshmërinë e këtij guri që po përurojmë". Ministrja Kalmi Rej në fjalën e saj vuri në dukje se Zvicra ka qenë shteti i parë që e ka njohur të drejtën legjitime të popullit të Kosovës për ta gëzuar pavarësinë.

"Si mund të vepronte ndryshe një shtet si Zvicra, që ka pasur në gjirin e vet një numër kaq të madh të njerëzve me prejardhje nga Kosova", tha ajo. "Zvicra në kohën kur në Kosovë, si vendi ku u luajt drama e fundit e tragjedive të Ballkanit të viteve '90, nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq, duke parë tragjedinë njerëzore që po ndodhte atje. Prandaj, ajo ka vepruar duke strehuar refugjatë, në një numër më të madh se sa që e kanë bërë vendet e tjera", tha mes tjerash ministrja Kalmi Rej.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›