E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu pritje madhështore në Izmir

Izmir -Në vijim të vizitës në Turqi, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu është ndalur në një takim në qytetin e Izmirit, ku jetojnë një numër i madh shqiptarësh. Përveç prefektit Mustafa Cahit Kıraç, në pritjen e organizuar për Presidentin Sejdiu morën pjesë edhe drejtues të tjerë lokalë, të cilët shprehën njëzëri gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Kosovën dhe për të mbështetur në çdo segment pushtetin lokal të vendit tonë.

Duke i falënderuar për ndihmën e pakursyer që i kanë dhënë Kosovës dekada me radhë, Presidenti Sejdiu u tha mikpritësve se Republika e Kosovës ndihet e nderuar me miqësinë e jashtëzakonshme që ka me Republikën e Turqisë, e cila ka qenë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë. Gjithashtu, ai veçoi investimet e gjithanshme që po bëjnë investitorët turq në Kosovë, të cilët me investimet e veta po dëshmojnë konkretisht se institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë siguri të plotë për investuesit e jashtëm dhe se tregu kosovar është i hapur për kapitalin e jashtëm dhe konkurrencën cilësore, konform normave dhe ligjësive të tregut të lirë. Në këtë kontekst, Presidenti Sejdiu përmendi investimet e shumta të ndërmarrësve nga Turqia në Kosovë, sidomos në fushën bankare, në arsim, në kulturë etj.

Presidenti Sejdiu, po ashtu, shprehu falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për punën e jashtëzakonshme të komandantëve dhe të ushtarëve turq në kuadër të KFOR-it, si dhe për mbështetjen e përhershme që diplomacia e Turqisë i ka dhënë Kosovës si para, ashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Ndërkaq, prefekti i Izmirit, z. Kiraç theksoi se ndihej i nderuar që në emër të gjithë qytetarëve të Izmirit po priste njeriun e parë të Republikës së Kosovës, me të cilën Turqia ka marrëdhënie vëllazërore. "Qyteti ynë ka shumë banorë që janë me prejardhje nga Kosova, të cilët janë një faktor shumë i rëndësishëm për kultivimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona", tha z. Kiraç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›