E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu shtyn për 11 prill zgjedhjet në Istog

PRISHTINë – Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka vendosur që të ndryshojë vendimin e tij lidhur me datën e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Istogut, për të cilën vetëm disa ditë më parë mori vendim që zgjedhjet atje të mbahen më 4 prill. Kjo datë është kundërshtuar nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, si dhe nga PLK-ja, të cilat i kanë kujtuar presidentit Sejdiu se 4 prilli është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, më saktësisht Dita e Pashkëve.

“Presidenti është takuar me përfaqësuesit e katër partive që do të konkurrojnë në Komunën e Istogut si me atë të LDK-së, PDK-së, LDD-së dhe AAK-së, si dhe me përfaqësues të KQZ-së dhe është arritur pajtimi që mbajtja e zgjedhjeve në Istog të shtyhet për një javë ditë që i bie më 11 prill”, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore”, Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit Sejdiu.
Vendimi i presidentit për të ndryshuar datën është marrë pasi që dy subjektet politike PSHDK-ja dhe PLK-ja kishin konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në Ditën e Festës së Pashkëve është lëshim ndoshta i padashur, apo i rastit, i cili duhet të korrigjohet nga presidenti Sejdiu. “Siç dihet, zgjedhjet në Istog duhet të përsëriten, pas vdekjes së ish-kryetarit të zgjedhur të kësaj komune Fadil Ferati dhe duhet dhënë mundësi të gjithë qytetarëve dhe subjekteve garuese të votojnë në kushte normale dhe atmosfere elektorale e cila nuk mund të jetë e tillë dhe të korrespondon me të Dielën e Pashkëve”, ka qenë kërkesa e dy partive të lartpërmendura. Mirëpo, zëdhënësi Beqiri ka thënë se caktimi i datës katër prill për mbajtjen e zgjedhjeve është një lëshim i vogël, pasi që, sipas tij, kjo festë jo gjithherë bie në datë të njëjtë.

Se 11 prilli do të jetë data për mbajtjen e zgjedhjeve në Istog e kanë konfirmuar edhe burime të gazetës brenda KQZ-së, sipas të cilave pritet që presidenti Sejdiu ta bëjë publik vendimin e ri e enjte (sot).

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›