Transferohet nxënësi që rrahu drejtorin
Drejtoria Arsimore e Kurbinit ka realizuar kërkesën e Sindikatës së Pavarur të Mësuesve të shkollës nëntëvjeçare të fshatit Gorre, duke larguar nga shkolla 14-vjeçarin, i cili sulmoi drejtorin e shkollës Xhemal Martinaj. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë Arsimore të Kurbinit, “kërkesa e mësuesve për transferimin në një shkollë tjetër të nxënësit me inicialet I.R. është pranuar dhe pas shumë bisedimeve është arritur që dje të rinisë mësimi në këtë shkollë. Po kështu, po shqyrtohet edhe kërkesa e dorëheqjes së drejtorit të shkollës së Gorresë, Xhemal Martinaj”. Mësuesit e Gorresë kanë nisur 30 minuta me vonesë mësimin ditën e djeshme, duke vijuar normalisht mësimin, ndërkohë që drejtori i kësaj shkolle nuk është paraqitur akoma në punë, për shkak të shenjave që ka në fytyrë. Ngjarja e dhunimit të drejtorit të shkollës Gorre është raportuar edhe në Policinë e Kurbinit, por drejtori Xhemal Martinaj nuk ka pranuar të bëjë denoncim.
#