Sejdiu uron presidentin e ri të Kroacisë Josipoviç
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e zgjedhjes së Ivo Josipoviç, president i Republikës së Kroacisë, i ka dërguar atij një mesazh urimi. "Në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ju përgëzoj Ju dhe popullin e Republikës së Kroacisë për zgjedhjen tuaj President i Republikës së Kroacisë. Qytetarët e shtetit më të ri në botë, Republikës së Kosovës, me respekt dhe admirim të madh u bashkohen Juve, Shkëlqesia Juaj, në festimin e kësaj fitoreje të madhe", thuhet në mesazhin e urimit.
"Unë jam i bindur se gjatë mandatit tuaj si president ju do t'i vazhdoni përpjekjet e Kroacisë për zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së bashkëkombësve tuaj. Ndonëse ne të gjithëve na presin shumë sfida, unë jam i sigurt se ardhmja e Kroacisë nën udhëheqjen tuaj është e ndritshme", thekson Sejdiu.