E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu:UÇK nuk ka kryer krime

"Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe nuk mund të njolloset me spekulime". Kështu është shprehur presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, duke iu referuar disa shkrimeve në disa media të caktuara, sipas të cilave, UÇK-ja ka kryer krime gjatë kohës së konfliktit të armatosur. Sejdiu tha se Kosova është para proceseve shumë të rëndësishme të njohjeve ndërkombëtare dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore demokratike. Prandaj, sipas tij, në këtë rrugë mund të ketë edhe tentativa për ta penguar atë në arritjen e këtyre qëllimeve. "Dua të them atë që populli i Kosovës e ka thënë gjithmonë, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe ka qënë luftë për ekzistencën e qenies tonë. Çdo gjë e paargumentuar, duhet marrë jashtë reales. Unë them atë shprehjen: 'më sjell faktet, atëherë del drejtësia'. Kështu që, s'dua të merrem me asnjë lloj spekulimi. Kemi mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare, të arsyeshme, me bazë, dhe sigurisht që dikujt mund t'i teket në forma të ndryshme që të krijojë dëme të veçanta për Kosovën. Por, mendoj se nuk do t'ia dalë", tha Sejdiu. Presidenti Sejdiu tha se Kosova i ka bërë të qarta synimet e saj në politikë si shtet, për një Kosovë demokratike, të integruar në BE dhe në NATO. Ndërkaq, ai rikujtoi se është Serbia ajo, e cila, përkundër prezantimit të saj si një shtet demokratik, vazhdon me politikat e njëjta, si në kohën e Millosheviçit. "Politikat e Serbisë kanë një ambicie, mbajtjen e tensioneve në rajon dhe destabilizimin e Kosovës", deklaroi Sejdiu. Në lidhje me këto akuza, gjatë këtyre ditëve ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe udhëheqës të tjerë të institucioneve, e ish-eprorë të lartë të UÇK-së, duke i hedhur poshtë pohimet për ekzistimin e kampeve e burgjeve të UÇK-së. Ata e kanë cilësuar edhe një herë të drejtë luftën e zhvilluar për çlirimin e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›