E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejko: ''Identitet" është origjinale

Kënga “Identitet”, interpretuar nga Adrian Lulgjuraj e Bledar Sejko, fituese e festivalit të 51-të të këngës në RTSH, po përballet me akuza për plagjiaturë.

Nuk janë të paktë ata që pajtohen se kjo këngë ka ngjashmëri të madhe me këngën serbe, titulluar ''Plavi safir'', realizuar në vitin 1988.   Bledar Sejko ka hedhur poshtë këto akuza, duke dhënë disa dëshmi, me të cilat synon të bind publikun për origjinalitetin e këngës.    “Ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që më keni uruar. Jam jashtëzakonisht i lumtur që pas shumë vitesh të mia në muzikë, vlerësohem për herë të parë me çmim të parë. Realisht, për shumë faktorë, prisja çmim por jo të parin. Pjesëmarrja ime si konkurrent në festivalin e madh për herë të fundit ka qenë në 1992, me Thunder Way  “Legjenda e Heroit”, ku na vlerësuan me vendin e fundit,'' ka shkruar Sejko në rrjetet sociale.   Tutje, ai ka shtuar: " Mendoj se i detyrohem dhe asaj pjese të publikut që nuk ka pëlqyer këngën, ose që mendon që unëatë e kam vjedhur që të bëj disa sqarime, jo për të vendosur nderin tim në vend si muzikant, por sepse mendoj që puna nuk mbaroi me Festivalin, pasi tani na pret edhe një betejë tjetër, "Eurosongu", ku do na duhet ndihma e të gjithë shqiptarëve dhe këto publikime nuk i bëjnë mirë këtij qellimi të përbashkët. Më duhet të them: 1) Për motivet e këngës jam mbështetur në folklorin shqiptar, më saktësisht në atë të valleve të Tropojës, të valleve çame dhe disa krahinave të jugut, gjë që duket qartë nga prezenca e lodrave (daulleve), çiftelisë zëvendësuar me kitarën, isos së jugut zëvendësuar me sektorin e violinave, dhe thirrjet e veriut “hej” përshtatur për korin.
2) Kam dëgjuar këngën serbe, të cilën disa shqiptarë po publikojnë, "Plavi safir" 1988 dhe ju them nga njohuritë e mia si kompozitor, që kënga ka një intro, një strofë, një "bridge", një refren dhe një mbyllje. Kënga ime nuk ka asnjë nga këto komponente të ngjashme me këtë këngë, përveç 3 notave të intros, të cilat me kombinim përsërisin njëra-tjetrën, ose më saktë, këta shqiptarë duhet më mirë të thonin që kompozitori serb ka vjedhur 3 notat e para të këngës “Kur bie fyelli e çiftelia”, të kënduar nga këngëtarja jonë e madhe, Vaçe Zela ."   Kënga “Identitet” do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin evropian të këngës, "Eurosong 2013'', që do të mbahet në Malmo të Suedisë. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/    

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›